Krasniqi – Hysenit: Leni përrallat deklarative
Dënimi i përfolur prej 7500 eurosh për qëndrim të paligjshëm jashtë vendit, për qytetarët e Kosovës, e ka shtyrë të reagojë edhe Kryetarin e Këshillit Kombëtarë të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi.
Ai, e ka komentuar deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, i cili tha se: “Azil kërkuesit po dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave, edhe pse kërkesat për azil në 99 për qind të rasteve refuzohen. Kurse, qëndrimi i paligjshëm do të sanksionohet me dënime administrative prej 100 deri në 7500 euro”, duke e këshilluar Hysenin që të punojë e mos të dalë me këto deklarata.
“Leni përrallat deklarative dhe leni fizkultura”, po i thotë Krasniqi, ministrit Hyseni.
Në një shkrim autorial Jakup Krasniqi, thotë se Qeveria duhet t’i përvishet punës, për t’iu siguruar qytetarëve punë e jetë të dinjitetshme.
Lexojeni të plotë reagimin e Jakup Krasniqit:
Ditë më parë një Ministri i Integrimeve, “fajin ia hodhi krimit të organizuar”, për ikjen e qytetarëve nga Kosova?! Si duket ministrat e qeverisë nuk e dinë pse janë krijuar institucionet e shtetit. Për këto institucione populli ynë ka investuar shumë, prandaj këto institucione e kanë përgjegjësinë për tu krijuar kushte pune e jete të dinjitetshme në Kosovë. Këto institucione janë të obliguara t’i mbrojnë qytetarët nga krimi i organizuar. Ministri Hyseni thotë se: “Do ti dënoj nga 100 deri në 7500 euro”. Zoti Ministër: A pak janë dënuar qytetarët që kanë shitur “plëng e shtëpi”, për të siguruar një punë e jetë me djerrës, duke rrezikuar jetën edhe të fëmijëve të vet?
Kryeministër e ministra të Kabinetit Qeveritar, leni fiskulturat para syve të ambasadorëve të BE-së, përvishuni punëve, për t’ju siguruar qytetarëve punë e jetë të dinjitetshme në atdheun e tyre, mbroni ata nga “krimi i organizuar”, se për atë jeni ju. Nëse ju nuk ua garantoni këto, për çka edhe jeni të thirrur, leni përrallat deklarative. Siguroni qytetarët që ata të bëjnë një jetë të dinjitetshme në atdheun e vet. “Arusha me shoshë , nuk tutët”, thotë populli!
