Gjykata speciale për krime lufte nuk është dashur fare të votohet nga Kuvendi i Kosovës, sepse ishte Serbia ajo që kreu gjenocid ndaj shqiptarëve, e nuk ishin shqiptarët ata që bën një gjë të tillë. Edhe Serbia reagoi duke e cilësuar votimin e gjykatës speciale si pranim i agjendës së saj politike antishqiptare, ka vlerësuar Faik Krasniqi, publicist nga Prishtina.
“Kjo gjykatë speciale për krime lufte është dashur të themelohet për Serbinë, e cila në luftërat që zhvilloi në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, vrau dhe masakroi mbi 300 mijë njerëz, zhduku mbi 100 mijë, dhunoi mbi 100 mijë femra dhe shkatërroi rreth 1 milion shtëpi.
Por fajin për themelimin e kësaj Gjykata speciale për krime lufte e kanë politikanët tanë, sepse në vend se në Gjykatën e Hagës të dërgoheshin me mijëra dosje për gjenocid që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve, pas luftës kjo klasë politike u turrën si qentë e tërbuar pas hajnisë dhe pushtetit.
Jam shumë i sigurt që kryeministri Thaçi ka marrë garanci nga Bashkësia Ndërkombëtare që ai s’do preket nga kjo Gjykatë speciale, dhe qëllimi i tij është jo vetëm t’jua fus njerëzve nga partitë rivale, por edhe njerëzve brenda partisë së tij që i sheh si rival të ”rrezikshëm”-thekson publicisti Faik Krasniqi.