Ata që deklarojnë për “prerje flokësh” e “prerje buzësh”, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi i quan “argatët e rinj të politikës së vjetër serbe”.
“Qëllimi i vetëm i tyre është të relativizohet krimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë! Në kontekstin e fundit, qëllimi imediat i strategjisë serbe dhe argatëve të tyre është të harrohen llambat e tavolinës nga kafkat shqiptare! Megjithatë, sado që të përpiqen ta zhvendosin vëmendjen, kafkat e shndërruara në llamba hedhin dritë mbi mizoritë serbe në Kosovë!”, thuhet në reagimin nga zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, transmeton indeksonline..
“Ditëve të fundit, kur edhe mediat serbe, në të njëjtën shkallë si ato të vendeve tjera ballkanike dhe më gjerë, publikuan dëshmitë tronditëse të policit serb, Sllobodan Stojanoviqit, se gjatë luftës në Kosovë kokat e shqiptarëve të vrarë janë prerë dhe nga kafkat e tyre janë bërë llamba tavoline, çohen argatët e rinj të politikës së vjetër serbe dhe publikojnë në portalet në gjuhën shqipe gënjeshtrën për gjoja implikimin tim në “prerje flokësh” dhe “prerje buzësh” të të burgosurve nga UÇK-ja. Të gjithë e dinë se këto shkrime skandaloze, që nga titulli e deri te përmbajtja, nuk kanë asgjë të vërtetë. Edhe përpiluesit dhe shpërndarësit e këtyre dezinformatave e dinë këtë gjë!”, thuhet më tej në reagim.