Krasniqi: As PDK-ja e as Brovina s’guxojnë të bëhen pengesë për krijimin e institucioneve
18 Shtatori i këtij viti si duket do të mbahet mend për një kohë të gjatë në skenën politike kosovare për shkak të zhvillimeve të mundshme që po parashikohen se do të ndodhin gjatë kësaj dite. Ngërçit politik i shkaktuar pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, është krijuar përshtypja se i ka ardhur fundi.
Tendenca e PDK-së për ta zgjedhur kandidatin e saj për kryetar të parlamentit, duke përllogaritur në numrat dhe mbështetjen që e disponojnë, parashikohet të dështojë. Madje si një mundësi e madhe e shkarkimit të deputetës më të vjetër në kuvend dhe kryesueses së seancës, e cila vjen po nga PDK-ja, parashikohet si zgjidhja e fundit për zgjidhjen e ngërçit politik
Si rrjedhoj, publicisti dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi, ka vlerësuar se nëse deputetja Brovina do të vazhdoj me skenarin e njëjtë si më 17 Korrik, në njërën anë, dhe nëse ajo vazhdon të mos i respektoj rregullat e Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçant pikën 127, në anën tjetër, sipas Krasniqit deputetëve të Bllokut nuk do ti mbetet asgjë tjetër përveç që ti bashkojnë forcat dhe ta shkarkojnë deputetën Brovina.
“Të enjten më 18 shtator në seancën konstituive të Kuvendit, në rast se zonja Flora Brovina, prapë vepron me skenarin e njëjtë si më 17 korrik dhe këtë herë nuk i respekton pikat e Gjykatës Kushtetuese, e sidomos Pikën 127 që t’ju jap të drejtë deputetëve për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, atëherë 83 deputetët kanë të drejtë dhe duhet ta shkarkojnë zonjën Brovina si kryesuese të Kuvendit, në mënyrë që ta bëjnë funksional Kuvendin e Kosovës. As PDK-ja e as zonja Flora Brovina s’guxojnë të bëhen pengesë për krijimin e institucioneve, sepse kështu do e shkelin prapë vullnetin e shumicës së deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës”, thekson Krasniqi.
Madje, Krasniqi vlerëson se qeverisja e keqe e PDK-së e ka dëmtuar rrënjësisht Kosovën, dhe sidomos veprimet e tyre të fundit pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, janë një tregues i qartë se ata po vazhdojnë ta ngulfasin demokracinë dhe realitetin e ri politik në Kosovë.
“Kjo Qeveri deri më tash me keqqeverisjen e tyre e kanë dëmtuar mjaft Kosovën. Por me këto veprime ata po e dëmtojnë akoma më shumë, sikurse shtetin por edhe qytetarët e Kosovës”, thekson Krasniqi.
E si rrjedhojë sipas Krasniqit koalicioni i PDK-së duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se ata nuk i disponojnë numrat në kuvend për ta krijuar qeverinë, prandaj sa më shpejtë që u lirohet rruga shumicës parlamentare për zgjidhjen e qeverisë së Kosovës, veçse do të jetë një sinjal i mirë se demokracia po funksionon edhe në Kosovë.
“Koalicioni i PDK-së duhet ta kuptojë njëherë e mirë, që 83 deputetë janë më shumë se 37 deputetë, dhe në çdo vend të botës demokratike Qeveria dhe Kuvendi krijohet nga shumica”.
Çdo mos respektim i shumicës parlamentare, realisht do të jetë një tregues negativ se po tentohet që shteti të kapet, vlerëson Krasniqi. Andaj ai beson se PDK-ja me 18 Shtator do t’ia hapë rrugën demokratike bllokut për krijimin e institucioneve, pasiqë sipas tij, PDK-së nuk i ka mbetur as edhe një rrugë e hapur që të mund ta krijoj qeverinë, gjithçka dhe gjithmonë në mungesë të shumicës parlamentare.
“Prandaj më 18 shtator kjo parti duhet të reflektojë pozitivisht, në mënyrë që t’i hap rrugën koalicionit të shumicës LDK-VVAAK-NISMA dhe minoritetet, t’i krijojnë institucionet e Kosovës. PDK-ja duhet ta respektojnë vullnetin e shumicës. Tjetër zgjidhje nuk kanë. Çdo veprim ndryshe i koalicionit të PDK-së, është shkelje e rëndë e demokracisë”, thekson Faik Krasniqi, Publicist dhe anëtarë i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së.
