Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas mesnatës, ka dhënë rezultatet preliminare për 25 komunat ku u votua për balotazh. Sipas KQZ-së, votues të regjistruar kanë qenë 1 milion e 371 mijë e 524 votues, dhe kanë qenë 1816 vendvotime. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se fletëvotime të vlefshme janë 532 mijë e 935, ndërsa përqindja e daljes në votime në këto komuna është 39. 87 për qind.
Në konferencën e fundit që është mbajture në orën 24:30 minuta, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se këto rezultate preliminare janë aprovuar nga të gjithë anëtarët e KQZ-së, me konsensus. Por, ajo ka bërë me dije se në këto rezultate nuk përfshihen edhe votat me kusht dhe votat me nevoja të veçanta dhe ato nga jashtë Kosovës.
Po ashtu, kryetarja Daka ka thënë se para se të fillojë numërimi i votave në një vendvotim në komunën e Parteshit, pasi janë mbyllur vendvotimet, kanë hyrë disa persona dhe kanë dëmtuar tri kuti me fletëvotime, derisa një kuti ka arritur të shpëtoj.
“Këto janë rezultatet ku mungon komuna e Parteshit, pasi që janë mbyllur vendvotimet në një qendër të votimit në Pasjan ka ardhur deri tek një incident dhe me atë rast janë dëmtuar tri kuti, ndërsa, një kuti nga kjo qendër e votimit ka mbetur pa dëmtuar dhe është në duart e Policisë. Ndërsa, dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë duke u marr në pyetje”, ka thënë Daka.
Ajo, tha se ende nuk kanë informacione zyrtare, por këto janë vetëm nga Policia, dhe presin që të shohin se çfarë do të bëjnë me ato kuti që janë dëmtuar.
“Jo, ende nuk kemi informatën zyrtare, por këto janë informata që kemi nga Policia e Kosovës. ka pasur një ndërhyrje nga persona të panjohur të cilët kanë hy në qendër të votimit dhe kanë hyrë në dy vendvotime ku në njërën ka qenë votim i dyfishtë dhe i kanë marrë kutiat dhe i kanë dëmtuar, ndërsa, një kuti nuk është dëmtuar, sepse, nuk kanë arritur të marrin. Dy persona janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje, ndërsa, edhe persona tjerë janë në proces e sipër”, është shprehur kryetarja Daka.
Për këto kuti me fletëvotime do të vendoset pasi të arrijnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të shohin se a mund të pranohen të dëmtuara apo jo. Po ashtu, KQZ-ja pritet që nesër të jap edhe rezultatet përfundimtare për asamble komunale, pasi u votua me 3 nëntor.
Rezultatet preliminare të KQZ-së:
Prishtinë, Shpend Ahmeti (VV)
Gjakovë, Mimoza Kusari – Lila (AKR)
Prizren, Ramadan Muja (PDK)
Pejë, Gazmend Muhaxheri (LDK)
Gjilani, Lutfi Haziri (LDK)
Ferizaj, Muharrem Svarça (LDK)
Lipjan: Imri Ahmeti (LDK)
Malishevë: Ragip Begaj (IQM)
Rahovec: Idriz Vehapi (PDK)
Dragash: Selim Jenuzi (PDK)
Mitrovicë e Jugut, Agim Bahtiri (AKR)
Mitrovicë e Veriut, Kërstimir Pantiq nga Iniciativa Qytetare ”Srpska”
Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS)
Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD)
Kamenicë: Begzad Sinani (PDK)
Klinë: Sokol Bashota (PDK)
Novobërdë: Svetislav Ivanoviq (GIS)
Obiliq: Xhafer Gashi (AAK-LDD)
Suharekë: Sali Asllanaj (LDK)
Viti: Sokol Haliti (LDK)
Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK)
Partesh: Dragan Nikoliq (GIS)
Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS)
Shtërpcë: Bratislav Nikolliq (SLS)
Kllokot: Sreçko Spasiq (GIS)
Pa balotazh garën për kryetar komune e kanë fituar që në rrethin e parë të votimeve:
Deçan: Rasim Selmanaj, (AAK- LDD)
Fushë Kosovë: Burim Berisha (LDK)
Gllogovc: Nexhat Demaku, (PDK)
Han i Elezit: Refki Suma – kandidat i pavarur
Istog: Haki Rugova (LDK)
Kaçanik: Besim Ilazi (PDK)
Mamushë: Arif Bytyq (KTAP)
Podujevë: Agim Veliu (LDK)
Shtime: Naim Ismajli (PDK)
Skënderaj: Sami Lushtaku (PDK)
Leposaviq: Dragan Jabllanoviq (GIS)
Zubin Potok: Stevan Vuloviq (GIS)
Zveçan: Vuçina Jankoviq (GIS)