Kapiteni i SC Gjilanit, Edison Kqiku është paraqitur në konferencën për media në prag të ballafaqimit me rivalin lokal Drita, derisa ka theksuar se gjithë grupi e di rëndësinë e kësaj sfide dhe se janë të gatshëm për të marrë më të mirën nga ky takim.
Kqiku ka bërë thirrje gjithashtu edhe për tifozët që në këtë ndeshje të jenë në numër të madh dhe të jenë afër skuadrës në çdo moment.
“E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje, prandaj edhe jemi përgatitur maksimalisht për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje. Kemi kualitet brenda ekipit dhe do të luftojmë së bashku me ndihmën e tifozëve të cilët do të jenë lojtari numër “12” i yni për ta fituar këtë përballje” tha ai.
Anësori i djathtë i skuadrës kuq e bardh ka folur gjithashtu edhe për rikthimin e tij në fushat e blera, pas lëndimit që e mbajti jashtë aksionit për disa javë.
“Jam i gatshëm dhe i lumtur njëkohësisht që lëndimin e kam lënë prapa. Unë jam këtu për ta ndihmuar ekipin, pavarësisht minutave që do t’i marr. E rëndësishme është të fitoj ekipi, nuk mendoj për minutazhën time, apo për vetën time. E rëndësishme është vetëm ekipi” ka thënë Kqiku.
Ai ka theksuar se derbi është i rëndësishëm për tifozët, por ai me bashkëlojtarët e tij do të luajnë në radhë për parë për t’i treguar vlerat e tyre dhe për tifozët gjithashtu.
“Gjithë futbollistët e dijnë rëndësinë e derbit, sidomos për vlerën që ka te tifozët. Ne shikojmë vetëm punën tonë, do të luftojmë për vetën tonë dhe për tifozët gjithashtu” tha kapiteni i SC Gjilanit.
Rikujtojmë që ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Dritës zhvillohet këtë të diel (15 dhjetor) në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 13:00. /2LONLINE/