/2L ONLINE/ – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) e ka miratuar propozim-vendimin për planin rregullues të hollësishëm “Fidanishtja 2” dhe e ka rekomanduar për Kuvend Komunal, me vërejtjet e opozitës, për etazhitetin, hapësirat e gjelbra dhe disa detaje tjera, për të cilat ata kanë thënë se duhet të vijë hartuesi i këtij dokumenti për të dhënë sqarime.
Arton Hoxha, kryesues i KPUMM ka thënë se dokumenti ka qenë në dëgjim publik 30 ditë dhe se afatet ligjore për të bërë vërejtje janë shteruar dhe i ka ftuar anëtarët për ta rekomanduar në procedurë të mëtejmë.
Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në Drejtorinë për Urbanizëm, ka thënë se drejtoria ka qenë bartëse e këtij procesi, duke sqaruar se hartuesi i ka pasur parasysh vërejtjet e qytetarëve dhe ka dhënë përgjigje të arsyetuara, qoftë pozitive, qoftë negative.
Dokumenti i ka të gjitha elementet e nevojshme, ka thënë Sherifi. Një pjesë e zonës është e destinuar për banim individual P+2, që ka qenë interesim i qytetarëve, ndërsa një pjesë tjetër për banim kolektiv P+6, me një ndërlidhje mes blloqeve me objekte të etazhitetit P+4.
Florina Zymberi (PDK) ka thënë se duhet t`i jepet përparësi ndërtimit të lartë, si nevojë e domosdoshme për të mbrojtur tokën bujqësore, gjë që ky plan nuk e parasheh më tepër se P+6.
Bajram Hasani (Nisma) ka thënë se nuk i ka të qarta disa koordinata në këtë plan rregullues, prandaj ka kërkuar që Komiteti ta shtyjë takimin, për t`i ftuar hartuesit të bëjnë një prezantim detal të planit. “Ne kemi nevojë për sqarime në disa pika”, ka thënë ai.
Vërejtje sa i përket etazhitetit ka pasur edhe Naim Shaqiri (LDK), sikurse edhe për sipërfaqet e gjelbra, që siç ka thënë ai, janë të vogla dhe të pamjaftueshme për një zonë të tillë. /2L ONLINE/