DYLON

KPU rekomandon lokacionin te “Kodra e Thatë” për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) i është përgjigjur pozitivisht Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, e cila ka kërkuar ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e një çerdhe për fëmijë në lagjen “Arbëria”.

Në vend të hapësirës së propozuar nga DKA-ja, brenda oborrit të shkollës fillore “Abaz Ajeti”, KPUMM ka rekomanduar një lokacion tjetër, në afërsi të qendrës për banim social, në zonën “Kodra e Thatë”, e cila edhe me plan rregullues është paraparë për këtë qëllim.

EkoHigjiena

Muhamet Halili, zëvendës kryesues i KPUMM, ka thënë se DKA-ja ka siguruar një donacion të jashtëm për ndërtimin e çerdhes, prandaj ka kërkuar ndarjen e një parcele në kuadër të oborrit të shkollës “Abaz Ajeti”.

Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në DUMM, ka sqaruar se në këtë lagje, me plan rregullues janë të përcaktuara katër lokacione për çerdhe, tri prej tyre janë në prona private, ndërsa një tjetër, në pronë komunale.

Parcela e kërkuar ka 12 ari, ndërsa bazuar në numrin e fëmijëve, për ndërtimin e një çerdhe me kapacitet prej 30-40 fëmijë, nevojitet një hapësirë mbi 25 ari e më tepër.

Pas analizës së gjithanshme të gjendjes, në një debat ku kanë marrë pjesë Florina Zymberi, Naim Shaqiri, Bajram Hasani, Muhamet Halili dhe të tjerë, KPUMM ka vendosur të rekomandojë për këtë qëllim parcelën në pjesën “Kodrën e Thatë”, me sipërfaqe prej 29 ari, e cila edhe me plan rregullues është e destinuar për çerdhe.

Meqë KPUMM u përcaktua për këtë zgjidhje, atëherë Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, si trupë profesionale për të dhënë propozimin për ndarjen e një lokacioni, nuk ka pasur fare nevojë të merret me këtë çështje, por vetëm e ka mbështetur rekomandimin.

Me plan rregullues, janë planifikuar katër çerdhe në lagjen “Arbëria”. Lokacioni i propozuar, është njëri prej tyre dhe i vetmi që është pronë komunale. /2L ONLINE/

fotoilustruese