KPF vendos që për gjendjen në teatër të diskutojë në seancën e ardhshme
/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të mërkurën, në mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal planin e punës së Kuvendit Komunal për vitin 2015, raportin financiar janar-mars 2015, propozim-vendimin për këmbimin e pronës komunale me pronë private, për nevoja të rrugës së deponisë, pastaj kërkesën e Bashkësisë Islame për shfrytëzimin e hapësirës publike në lagjen “Zabeli”, projekt-rregulloren për transparencë, projekt-rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin e tyre, propozim-vendimin për themelimin e Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor si dhe planin e punës së Komitetit për Siguri në Bashkësi.
Njëherësh, KPF është dakorduar që pikat vijuese t`i shtyjë për një seancë tjetër, përfshirë edhe diskutimin për Teatrin e qytetit, që erdhi si kërkesë nga Sahit Abazi (PDK), për ta ndarë në dy pjesë rendin e punës, për hir të efikasitetit. KPF po ashtu vendosi që seanca e Kuvendit Komunal të mbahet më 30 prill. Sqarime rreth gjendjes aktuale në Teatër, ka dhënë Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë.
Planin e punës së KK-së për vitin 2015 e ka prezantuar Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, duke thënë se plani është orientues dhe ai mund të plotësohet në të ardhmen me propozime tjera nga grupet e këshilltarëve.
Sa i përket raportit financiar, Zijadin Maliqi tha se është një dokument i punuar mirë dhe që i përmban të gjitha pasqyrat e të hyrave dhe shpenzimeve dhe si i tillë do të diskutohet më gjerësisht në seancën e Kuvendit Komunal.
KPF i dha mbështetje kërkesës për këmbimin e pronës, të cilën e arsyetoi Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një ngastër prej 367 m/2 në Velekincë, që pronarit Nexhmedin Behluli i është marrë në vitin 2009 për nevoja të rrugës së deponimë regjionale, e cila, sipas këtij propozim-vendimi duhet të këmbehet me një pjesë të pronës komunale me sipërfaqe prej 537 m/2 në lagjen “Dardania”.
Këmbimi bëhet sipas vlerësimit nga Komisioni i Ministrisë së Buxhet dhe Financa, ku merret parasysh çmimi i tregut, ka thënë Berisha.
Po ashtu ai e ka arsyetuar edhe kërkesën për ndarjen e një hapësire prej 643 m/2, në lagjen “Zabeli” për ndërtimin e një parkimi. Kjo sipërfaqe, me kërkesë të Bashkësisë Islame, jepet në shfrytëzim për 15 vjet, për nevoja të xhematit dhe qytetarëve të kësaj lagje. Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të realizojë interesa financiare nga kjo hapësirë, ka thënë Berisha.
KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe projekt-rregulloren për transparencë si dhe projekt-rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin e tyre, të cilat i ka arsyetuar Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, planin e punës së KKSB, që e ka prezantuar Halit Rexhepi si dhe ka votuar në favor të themelimit të Komitetit konsultativ të ekspertëve, anëtarët e të cilit zgjidhen me konkurs.
KPF është njoftuar edhe me punën tremujore të Drejtorisë së Buxhetit, nga drejtori Ilmi Limani, pastaj të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, nga Nazim Gagica si dhe të Departamentit të Prokurimit, nga Hatixhe Daku.
Opozita (Nevzad Isufi, VV) pati vërejtje te vonesat në projektin e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve, shpërndarja e drurëve nëpër shkolla, dezinfektimi hapësinor dhe të tjera, që siç tha Hatixhe Daku, ndodhin ndonjëherë për shkak të procedurave të prokurimit dhe ankesave të operatorëve, të cilët marrin pjesë në një tender. /2L ONLINE/
