DYLON

KPF rekomandon planin dhe rregulloret që mbrojnë ambientin

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të hënën, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka drejtuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar propozimin për shfuqizimin e Rregullores 01. nr. 469/020 për mbrojtjen e ambientit, planin e menaxhimit të mbeturinave për periudhën 2016-2020, draft-rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, raportin e punës për vitin 2015 të Komisionit komunal të aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve”.

Po ashtu, KPF ka rekomanduar edhe propozim-vendimin për lejimin e shfrytëzimit të pronës komunale për nevoja të xhamisë në lagjen e Balecit, propozim-vendimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për një periudhë prej 30 vitesh për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuar, propozim-vendimin për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në lagjen “Arbëria-1” si dhe propozimin për plotësimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

EkoHigjiena

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi e ka hedhur në votim edhe propozimin e përfaqësuesit të LVV, Nevzad Isufi për futjen në rend dite të seancës së Kuvendit Komunal, 56 rekomandimet që ka bërë ai në mbledhjen e kaluar, por nuk ka marrë mbështetjen e shumicës së anëtarëve të KPF.

Ndërkaq ajo ka thënë se pyetjet e Bujar Nevzatit e Sahit Abazit (PDK) do t`ua përcjellë drejtorëve përkatës, për të dhënë përgjigje.

Pyetjet e Nevzatit kishin të bënin me shkollën e gjimnazit, ku për shkak se mungon një profesor i historisë, siç ka thënë ai, nuk mbahen orët mësimore, pastaj për dinamikën e ultë të punimeve në rrugën me katër krosi Gjilan-Bujanoc dhe të tjera, ndërkaq Sahit Abazi kërkoi formimin e një komisioni për të vërtetuar cilësinë e të gjitha punimeve, duke thënë se nga paslufta e këndej janë shtruar plot rrugë, por ato janë dëmtuar shumë shpejt.

Avdyl Aliu e Nevzad Rushiti (LDK) kanë thënë se pyetjet e përfaqësuesit të LVV janë marrë nga raporti i OJQ “Anamorava”, përkatësisht janë çështje që kryesisht i përmban edhe plani i punës i Kuvendit për këtë vit, por Isufi nuk u pajtua duke thënë se ai i ka bërë rekomandimet dy muaj para se të publikohet raporti i shoqërisë civile.

Edhe Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se këto rekomandime janë kopje nga raporti i OJQ “Anamorava” dhe ka shtuar se rekomandime të tilla zbatohen çdo ditë në qeverisjen komunale.

Sa i përket planit për menaxhimin e mbeturinave si dhe draft-rregullores për menaxhimin e mbeturinave, Avdyl Aliu ka thënë se të dyja këto kanë kaluar procedurat e nevojshme, përfshirë edhe dëgjimin publik.

Kujtim Bajrami nga Drejtoria e Shërbimeve Publike sqaroi se plani dhe rregullorja janë hartuar në bashkëpunim me GIZ-in dhe janë ndër dokumentet më të mira që ka ndonjë komunë.

Ismet Hajdini (AKR) ka thënë se Gjilani do të ketë gjithmonë probleme me mbeturinat, derisa deponia regjionale nuk merret nën menaxhim nga Komuna.

Përndryshe, KPF vendosi që seanca e Kuvendit Komunal të mbahet më 31 maj. /2L ONLINE/