KPF rekomandon Kornizën Afatmesme Buxhetore pas një debati me qytetarë
/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) e ka rekomanduar të enjten për Kuvend Komunal Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2017-2019, pas një debati me qytetarë, ku përfaqësues të këshillave lokale dhe qytetarë kanë paraqitur kërkesat e vendbanimeve prej nga vijnë dhe kanë kërkuar që ato të futen në prioritetet e Komunës për investime.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se do të ketë debate edhe nëpër lokalitete, deri në miratimin e buxhetit për vitin 2017, për t`i përcaktuar prioritetet bashkërisht me qytetarët.
Opozita ka pasur vërejtje për shkak se materiali (KAB) nuk është dërguar me kohë. Nevzad Isufi (VV) ka votuar kundër duke thënë se Korniza Afatmesme Buxhetore nuk mund të rekomandohet kësisoj si një kuvertë e mbyllur.
Sahit Abazi (PDK) tha se nëse përgatitja e KAB-it, nuk ka mundur të bëhet më herët për shkak se, siç po thuhet, është vonuar qarkorja buxhetore, atëherë është dashur të mbahet vetëm debati me qytetarë dhe të shtyhet mbledhje e KPF-së. “Parimisht pajtohem se KAB-i duhet të kaloj, por në të ardhmen duhet të ndryshohet mënyra e punës”, ka thënë ai.
Avdyl Aliu (LDK), Ismet Hajdini (AKR), Arben Maliqi (LDK), Nevzad Rushiti (LDK), thanë se deri në seancë të Kuvendit Komunal, që do të mbahet më 24 qershor, ka kohë të mjaftueshme për të analizuar materialin dhe kanë kërkuar që KAB-i të rekomandohet nga KPF për procedim të mëtejmë.
“Unë nuk po e arsyetoj vonesën, por drejtori i Buxhetit i sqaroi arsyet, që nuk kanë të bëjnë me nivelin komunal, por me pushtetin qendror, i cili i cakton kufijtë buxhetorë”, ka thënë Aliu.
Paraprakisht, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, në debatin me qytetarë, ku kanë marrë pjesë edhe anëtarët e KPF-së, ka paraqitur kufijtë fillestarë buxhetorë për vitin 2017 si dhe orientimet e hershme për vitet 2018 dhe 2019.
Buxheti i vitit 2017 do të ketë një rritje për 6 për qind në krahasim me vitin paraprak, në vitin 2018 rritja do të jetë 2 për qind, ndërsa në vitin 2019 – një për qind. Kurse të hyrat vetanake do të rriten për 15 për qind në vitin 2017, ka thënë Maliqi.
Duke prezantuar të dhënat tjera nga KAB, ai ka thënë se granti i përgjithshëm do të ketë një rritje prej 8 për qind, por është shprehur i pakënaqur me rritjen e grantit për arsim për një për qind, ku Komuna e Gjilanit ka vazhdimisht probleme për t`i mbuluar pagat.
Sa i përket investimeve kapitale, Maliqi ka thënë se do të ketë një rritje prej afër 17 për qind, në krahasim me vitin 2016, kurse te subvencionet nuk parashihet rritje.
Për specifika buxhetore sipas sektorëve, kanë folur drejtorët dhe zyrtarët përkatës, Agim Zuzaku (Zhvillim Ekonomik), Ramiz Ramadani (Bujqësi), Nexhat Hajrullahu (Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale), Enver Biçku (Shërbime Publike), të cilët janë përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të kryetarëve të këshillave lokale, Shemsedin Elezi, Besnik Mustafa, Fadil Aliu, Ruzhdi Selimi, Musli Matoshi, Fatmir Ferati, Qamil Rexhepi, Ramiz Isufi si dhe të këshilltarëve komunalë, Ibish Ibishi (Dobërçan) dhe Arben Maliqi (Dardania) ku ende nuk janë zgjedhur këshillat lokalë. /2L ONLINE/
