DYLON

KPF rekomandon Kornizën Afatmesme Buxhetore 2016-2018

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të enjten, në mbledhjen e radhës, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2016-2018, rregulloren për komitetet, dy propozim-vendime për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim, propozim-vendimin për themelimin e panelit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikmit hapësinor, rekomandimin për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollës së agrobiznesit, ndërkaq e ka shtyrë për mbledhjen e radhës kërkesën e Qendrës Kosovare për Bashkëpunim Ndërkufitar, për përkahje financiare, meqë nuk ka qenë e specifikuar sa duhet.

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, që do të mbahet më 29 qershor, do të jepet edhe një informatë për vërshimet, ndërkaq raporti për ndërtimet pa leje, do të jetë gati për seancën tjetër të Kuvendit Komunal, për çka drejtori i Urbanizimit ka kërkuar mirëkuptim, tha ajo.

EkoHigjiena

Informata për ndërtimet pa leje dhe vërshimet, në të vërtetë ishin kërkesa të opozitës (PDK), të cilat u përsëritën edhe në këtë takim të KPF-së, nga Bujar Nevzati.

Avdyl Aliu (LDK) tha se informatë për ndërtimet pa leje, ka pasur në Kuvend Komunal, më herët dhe do të ketë përsëri, pasi që shefi i sektorit të ndërtimit, është duke e përgatitur atë.

Një informatë përmbledhëse për KAB-in e dha Ilmi Limoni, drejtor financiar, i cili tha se kufijtë buxhetor, të përcaktuar nga qeveria, janë më të ultë se nevojat e Komunës së Gjilanit, që sipas vlerësimit tonë, janë 27.731.786 euro.

Limoni tha se granti i përgjithshëm është më i vogël se në vitin 2015, granti i shëndetësisë mbetet i njëjtë, ndërkaq granti i arsimit, ka një rritje të vogël, por që është i pamjaftueshëm.

Sa u përket të hyrave vetanake, ato do të jenë 4 milionë euro në vitin 2016, kurse subvencionet dhe investimet kapitale do të jenë dyfish më të mëdha se në këtë vit, ka thënë Limoni.

Sipas tij, qeverisë së Kosovës i është kërkuar ndarja e një granti shtesë prej mbi 6 milionë euro, për Komunën e Gjilanit.

Zijadin Maliqi ka thënë se nëse Komuna e Gjilanit arrin t`ia imponojë qeverisë projeksionin e saj buxhetor për vitin 2016, atëherë duhet të jemi të kënaqur.

Interesimin e anëtarëve të KPF-së e ka tërhequr edhe propozimi për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, të cilin e ka arsyetuar Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës si dhe Nevzad Rushiti, kryesues i Komitetit të Pronës, ku nisma e kryetarit të Komunës, e ka marrë përkrahjen për procedim të mëtejmë.

Berisha ka sqaruar se në rastin e parë bëhet fjalë për tri ngastra të vogla, në tri lokacione të ndryshme, me sipërfaqe të përgjithshme prej 76 m/2, të cilat janë kërkuar në shfrytëzim për 99 vjet nga KEDS-i, për ndërtimin e trafove, si interes publik, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të një prone komunale, për nevoja të agrobiznesit.

Përfaqësuesi i PDK-së, Sahit Abazi tha se kërkesa duhet të shtyhet dhe nuk duhet të procedohet derisa nuk përgatitet një strategji komunale për të gjitha pronat publike. Edhe Nevzad Isufi (VV) tha se Komuna ka në zotërim edhe prona të tjera, të cilat nuk shfrytëzohen për asgjë dhe kërkoi që të përgatitet një ankand për më shumë ngastra.

Nevzad Rushiti nga Komiteti i Pronës, sqaroi se për këtë parcelë ka pasur më shumë interesim, por tha se toka do t`i jepet në shfrytëzim atij që ofron kushte më të mira, përmes një procedure ligjore të konkurrencës.

KPF u dakordua që shuma prej 17.500 euro, e planifikuar për bursa, sivjet të orientohet për nxënësit e shkollës së agrobiznesit, për të stimuluar interesimin e të rinjve për profilet bujqësore, që viteve të fundit ka rënë ndjeshëm, aq sa rrezikohet edhe mbyllja e shkollës. /2L ONLINE/