(2LONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa ka rekomanduar për Kuvend Komunal Raportin financiar janar-dhjetor 2013, propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, propozim vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pa shpenzuara të viteve 2012 e 2013 në vitin fiskal 2014, në shumë prej 377 mijë euro, propozimin për kompensimin e anëtarëve të komisionit për akte statuare si dhe propozimin për anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal për komisionin e aksionarëve në ndërmarrjet publike “Eco-Higjiena” e “Kosovatrans”.
Propozim vendimi për komisionin e aksionarëve në ndërmarrjet publike “Eco-Higjiena” e “Kosovatrans” u kundërshtua nga opozita (PDK e VV), e cila votoi kundër. Sahit Abazi e Bujar Nevzadi (PDK) e Nevzad Isufi (VV) kërkuan që paraprakisht të ofrohen arsyet për nevojën e anulimit të këtij vendimi. Anulimet e vendimeve nuk janë përvojë e mirë, ka thënë Abazi.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e KPF, tha se në seancën e Kuvendit Komunal do të hapet një debat më i gjerë për këtë rekomandim, por sqaroi se ka pasur ankesa prej të dyja kompanive, prandaj është futur në rend dite kjo çështje.
Vëmendjen e anëtarëve të KPF e ka tërhequr më së tepërmi raporti financiar, sidomos pjesa e borxheve, ku ka pasur edhe mospajtime mes pozitës e opozitës (PDK).
Salih Kqiku, drejtor financiar, ka thënë se buxheti i planifikuar ka qenë 18.418.682 euro, ndërsa me mjetet shtesë është realizuar një buxhet prej 21.356.768 euro. Sa u përket obligimeve, Kqiku ka thënë se ato janë 4.112.627 euro. Por, sipas tij, ka edhe obligime të ashtuquajtura kontingjente që janë afër 3 milionë euro si dhe ekziston një vendim i kryetarit të Komunës prej mbi 678 mijë euro për disa punime të kryera në Vërbicë të Zhegocit.
Në këtë pikë opozita (PDK) ka thënë se borxhet e Komunës janë rreth 4 milionë euro, për të cilën borxhet kontingjente janë inekzistente, ndërsa pozita ka mbrojtur qëndrimin se nga marrja e përgjegjësive të qeverisjes me Gjilanin borxhet e gjithëmbarshme të Komunës janë rreth 8 milionë euro.
Ndërkaq, arsyetimin ligjor për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores komunale e dha Hevzi Matoshi, zyrtar ligjor. Nevzad Isufi (VV) propozoi që taksa për lëshimin e aktvdekjes, që është propozuar të jetë 3 euro, të hiqet fare, ose të bëhet 1 euro, meqë Komuna i heq edhe shpenzimet e varrimit. /2lonline/