KPF organizon dëgjim për KAB-in, interesimi i qytetarëve i pa mjaftueshëm

KPF organizon dëgjim për KAB-in, interesimi i qytetarëve i pa mjaftueshëm

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të enjten dëgjimin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2018-2020, por interesimi i qytetarëve për të qenë pjesëmarrës në hartimin dhe planifikimin e buxhetit, ka qenë fare i vogël, për çka opozita ka kërkuar shtyrje të debatit, por organizatori ka sqaruar se njoftimi është bërë në kohë dhe sipas procedurave të parapara, ditën që dokumenti ka ardhur nga Ministria e Financave.

Nevzad Rushiti, anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa, i cili e ka udhëhequr dëgjimin publik, ka thënë se është fat i mirë që në tri vitet e ardhshme, Komuna e Gjilanit do të ketë një rritje të konsiderueshme të buxhetit, sikurse edhe të investimeve kapitale.

Përndryshe, Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka thënë se KAB-i përcakton vetëm kufijtë fillestarë të buxhetit të një Komune, ndërsa kufijtë përfundimtarë bëhen më vonë dhe bazohen në nevojat e drejtorive si dhe prioritet e qytetarëve, për çka mbahen edhe dëgjimet publike.

Për më tepër, Maliqi ka thënë se, sipas këtij planifikimi, buxheti i vitit 2018 do të shënojë një rritje prej 5 për qind në krahasim me vitin paraprak, për të lëvizur deri në 9 për qind rritje, në vitin 2020. Edhe të hyrat vetanake do të rriten nga 4.3 milionë euro (2018) në 4.6 milionë (2020).

Sipas Maliqit, rritje të konsiderueshme do të ketë edhe te investimet kapitale, kurse shpenzimet komunale do të mbeten në kufijtë e njëjtë.

Bujar Nevzati (PDK) ka kërkuar shtyrjen e dëgjimit publik, për shkak të numrit të vogël të qytetarëve, ndërsa Nevzad Isufi (VV) ka thënë se KAB-i ka disa mangësi dhe nuk ofron sqarime të mjaftueshme për mënyrën se si do të rriten disa tregues buxhetor.

Ndërkohë, KAB-i është diskutuar edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa, bashkë me pikat tjera të rendit të ditës, të cilat janë rekomanduar për Kuvend Komunal, ku do të përfshihet edhe raporti për gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena” si dhe një informatë për ecurinë e deritashme të themelimit të Këshillave lokale, që u kërkuan nga Nevzad Isufi (VV).

Ndërkaq sa i përket zhvendosjes së shtatores së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, për të cilën po ashtu ka kërkuar informatë Isufi (VV), kryesuesja e Komitetit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se për këtë ka marrë vendim Kuvendi Komunal, por një njoftim rreth kryesit të punimeve mund të jepet në pikën nën të ndryshme, ka shtuar ajo.

Përndryshe, KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe Draft-rregulloren për tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin 2018, Strategjinë për gratë ndërmarrëse (2017-2021), propozim-vendimin për korrigjimin e vendimit 01.nr.016-39501 të datës 27.04.2016 për lejimin e këmbimit të pronës komunale me pronën private për nevoja të rrugës qarkore, sipas PRRU “Fidanishte”, propozim-vendimin për korrigjimin e vendimit 01.nr.016-117674 të datës 29.11.2016 për lejimin e këmbimit të pronës komunale me pronën private për nevoja të rreth-rrotullimit tek lagja “Iliria” (“Jugu I, faza II) si dhe propozim-vendimet për subvencionimin e KF “Gjilani”, KF “Drita”, KV “Drita”, KB “Drita” (M), KH “Drita” (M) si dhe KH “Zhegra”.

KPF është dakorduar që seanca e Kuvendit Komunal të mbahet më 29 qershor 2017.

KOMENTE