DYLON

KPF miraton raportin financiar janar-dhjetor 2015

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të martën, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka udhëhequr Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar raportin financiar janar-dhjetor 2015, sikurse edhe disa ndryshime në rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, informatën për organizimin e manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2016 si dhe propozim-vendimin për ndarjen subvencionimin e aktiviteteve të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL), Qendrës për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, Shoqatën e të Verbërve si dhe klubet futbollistike “Drita”, “Gjilani” si dhe klubit te volejbollit “Drita” (femrat).

Sa i përket raportit financiar, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, ka dhënë sqarime në pyetjet e Bujar Nevzatit (PDK) rreth shpenzimeve telefonike të kryetarit të Komunës, duke thënë se kryetari i Komunës është shfrytëzues i pakos së roamingut prej 20 euro.

EkoHigjiena

Maliqi ka thënë se shpenzimet për telefoni nga kryetari i Komunës, janë minimale dhe është shprehur i gatshëm t`i ofrojë të gjitha faturat.

Ai ka dhënë sqarime dhe në interesimet e këshilltarit Nevzad Isufi (VV) rreth asaj pse te disa kategori të të hyrave mungon përqindja e realizimit të planit, duke thënë se bëhet fjalë për të hyrat ku nuk ka pasur planifikim, siç janë ato nga Inspekcioni, i cili është shpërndarë nëpër drejtoritë përkatëse.

Nevat Rushiti (LDK) ka thënë se nga raporti shihet se në këtë periudhë ka pasur një ulje të shpenzimeve, ndërsa investimet janë rritur dhe ky është një tregues i mirë i punës së kësaj qeverisje.

Ndryshimet dhe plotësimet në rregulloren për tarifa komunale, janë miratuar me vërejtjet e këshilltarëve Arben Maliqi (LDK), Selami Xhemajli (AAK) dhe të tjerëve, te pjesa ku për qytetarët parashihet një pagesë mujore prej 5 euro, për shfrytëzimin e shtegut të atletikës në stadiumin ndihmës.

Sa u përket shpenzimeve për manifestimin ‘Flaka e Janarit’, që siç tha Avdyl Aliu (LDK) janë reduktuar shumë në krahasim me qeverisjen e kaluar, edhe Bujar Nevzati tha se nuk ka vërejtje te shuma e përgjithshme, por kërkoi që në seancën e Kuvendit Komunal të ofrohen më shumë detaje se kush janë shfrytëzuesit e këtyre mjeteve.

Anëtarët e KPF patën vërejtje te kërkesa për subvencionimin e klubeve dhe shoqatave , për shkak se ajo kishte ardhur me vonesë, megjithëse në parim u deklaruan në favor të mbështetjes së këtyre organizatave, përveç Nevad Isufit (VV), i cili tha se rregullorja nuk duhet të shkelet për hir të askujt.

Kësisoj, sipas këtij rekomandimi, KF “Drita” do të subvencionohet me 33 mijë euro, KF “Gjilani – me 30 mijë, KV “Drita” (femrat ) me 10 mijë, Shoqata e të Verbërve – me 5.500, Qendra e Gruas “Liria” – me 5 mijë, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal – me 5 mijë.

Nevzad Isufi (LVV) pati vërejtje te raporti i Qendrës “Liria” për vitin e kaluar, duke thënë se shpenzimet nuk janë arsyetuar si duhet.

Bujar Nevzati (PDK0 kërkoi që në këto shoqata të bëhet një auditim sa i përket mënyrë së shpenzimit të mjeteve, me çka u pajtua edhe kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Ajo sqaroi se kërkesa nga klubet dhe shoqatat ka arritur me kohë dhe i ka kaluar procedurat tjera të nevojshme, por materiali është vonuar për KFP.

Përndryshe, Sahit Abazi e Bujar Nevzati (PDK) kanë kërkuar që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, që do të mbahet më 31 mars, të diskutohet për gjendjen në Teatër, Këshillat e fshatrave, përkatësisht rastin e inspektorëve të ndërtimit si dhe për mos zbatimin e konkursit për drejtorë në disa shkolla. /2L ONLINE/