KPF miraton raportin e punës së kryetarit të Komunës për periudhën janar-shtator 2015
/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të enjten, në mbledhjen radhës për këtë vit, të cilën e ka drejtuar Valentina Bunjaku Rexhepi, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës për periudhën janar-shtator 2015 dhe e ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Kryetari Lutfi Haziri në raportin e tij, ka nënvizuar se për nëntë muajt e kaluar, është arritur një progres i kënaqshëm, duke përmbushur kërkesat e qytetarëve, duke qenë çdo herë të gatshëm për arritje të mëtutjeshme në punën gjithëpërfshirëse të Komunës.
Angazhimi gjatë kësaj periudhe nëntëmujore, kryesisht është fokusuar në realizimin e kompetencave të plota sa i përket interesit lokal dhe që janë në interes për qytetarët, duke i pasur parasysh prioritetet. Edhe pse me një buxhet modest sa i përket infrastrukturës, jemi duke i përmbushur nevojat parësore të qytetarëve, siç janë rrugët, ujësjellësi, kanalizimi dhe ndriçimi publik.
Njëherësh kemi arritur të krijojmë kushte më të mira për qytetarët e Gjilanit e sidomos për familjet në nevojë për kushtet elementare të jetesës, duke ndërtuar 17 shtëpi përmes një aksioni humanitar, falë edhe donatorëve të cilët kanë kontribuar në përmbushjen e këtyre nevojave të qytetarëve me nevoja sociale. Nga aksioni humanitar kanë përfituar edhe 40 familje në meremetim të shtëpive, ndërkaq 37 të tjera në pagesë të qirasë, ka thënë Haziri.
Ai ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me donatorët, në programe e projekte të ndryshme. Nga Komisioni Evropian (IPA), Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar Maqedoni-Kosovë, komuna e Gjilanit, së bashku me komunën e Çairit (Shkup) kanë përfituar një projekt me vlerë rreth 500,000 euro. Granti për komunën e Gjilanit kap shumën 241,631.15 euro, duke përfshirë edhe participimin e Komunës në vlerë prej 36,244.68 euro.
Po ashtu, angazhimet tona janë orientuar në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, bujqësi dhe fusha të tjera. Njëherësh kemi kontribuar që në komunën tonë të mbretërojë një klimë e mirë në aspektin e sigurisë, në mënyrë që të krijojmë kushtet elementare për investime të huaja, thotë Haziri.
Raporti përmban në mënyrë më të detajuar të gjitha arritjet, të cilat janë pasqyruar përmes raporteve të drejtorive dhe zyrave komunale.
KPF po ashtu ka miratuar edhe raportin financiar janar-shtator 2015, të cilin e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, propozimin-vendimin për këmbimin e një pjese të pronës komunale me pronë private, për nevoja të rrugës publike në lagjen “Zabeli…”, të cilin e ka arsyetuar drejtori i Kadastrës, Sadudin Berisha si dhe raportin për gjendjen në ndërmarrjen publike “Ecohigjiena”, të cilin e ka prezantuar kryetari i Komisionit të aksionarëve, Xhelal Jetishi dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 30 tetor.
KPF e ka kthyer për përmirësim projekt-statutin e QKMF-së, për shkak të disa gabimeve përmbajtjesore dhe gjuhësore që u konstatuan nga anëtarët e kësaj trupe komunale.
Përndryshe, KPF ka vendosur që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, përmes raportit të kryetarit të Komunës dhe në pikën nën të ndryshme, të diskutohet edhe për arsimin, teatrin dhe ndërtimet pa leje, që ishin kërkesa të opozitës e të cilat u paraqitën nga Sahit Abazi, Bujar Nevzati (PDK) e Nevzad Isufi (VV).
Duke iu përgjigjur vërejtjeve të anëtarëve të opozitës, të cilët thanë se kërkesat dhe propozimet e tyre po injorohen nga pozita, për shkak të numrave që ka, Valentina Bunjaku Rexhepi rikujtoi ata se një seancë e jashtëzakonshme për arsimin, është mbajtur me kërkesën e opozitës, gjendja në teatër është futur në rend dite dhe është diskutuar, po ashtu me kërkesën e opozitës, sikurse edhe propozimi për shpalljen “qytetar nderi” të Rexhep Berishës, që po ashtu është bërë nga opozita, për t`iu bashkuar propozimit të kryetarit të Komunës për nderimin me këtë titull të zonjës Hanife Mala. /2L ONLINE/
/fotoilustrim/
