/2L ONLINE/ – Është mbajtur mbledhja e dhjetë e Komitetit për Politikë e Financa, ku janë shqyrtuar disa pika me rëndësi, të cilat edhe janë proceduar për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. Fillimisht anëtarët e këtij komiteti kanë parashtruar disa propozime për mbledhjen e ardhshme, ku njëra prej tyre ishte edhe çështja e kyçjes në autostradën Shkup-Prishtinë e cila u paraqit si shqetësim i qytetarëve të komunës së Vitisë.
Kjo u vendosë të jetë si informatë nga ana e ekspertëve për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit. Ndër pikat që ishin paraparë në këtë mbledhje, ishin pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-shtator 2016, të cilat i prezantoi drejtori për Financa dhe Ekonomi Ibrahim Rama. Ai ka njoftuar se buxheti është shpenzuar mirë krahas planifikimit duke përmendur se shkalla e realizimit është 91.34 %.
Ndërkohë ka përmendur rritjen e shkallës së inkasimit të tatimit në pronë, si dhe ka bërë të ditur pasqyrat financiare sipas kategorive ekonomike. Në këtë mbledhje u procedua për mbledhjen e ardhshme edhe propozim vendimi për shpalljen në diskutim publik të propozim planit për mirëmbajtjen dhe planin investiv të hapësirave të hapura publike në komunën e Vitisë, si dhe propozim vendimi për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm parcelat në zonën kadastrale në fshatin Sllatinë, të cilat parcela gjenden nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Mbledhja e dhjetë e Kuvendit Komunal të Vitisë, u vendosë të mbahet të hënën e ardhshme me 31 tetor. /2L ONLINE/