DYLON

KPF i përgjigjet pozitivisht kërkesës së qytetarëve për revidimin e projektit të lumit Mirusha

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të premten, në takimin e fundit për këtë vit, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, është njoftuar për dinamikën e punimeve në rregullimin e lumit Mirusha, ku ka ngecje që prej fillimit dhe i ka rekomanduar Kuvendit Komunal revidimin e projektit në një pjesë të tij.

Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, ka thënë se kjo qeverisje është e interesuar që projektin e lumit Mirusha, të filluar në vitin 2009, ta përfundojë sa më shpejt. Kadriu ka thënë se është kërkesë e qytetarëve, por edhe nevojë e gjendjes në terren, që projekti të ndryshohet pjesërisht dhe pjesa e lumit prej qendrës e deri te lagja Balec, të mbulohet.

EkoHigjiena

Me mbulimin e kësaj pjese krijohet një shëtitore për qytetarë dhe krijohen mundësi për hapjen e bizneseve të vogla në këtë zonë, gjë që do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin, ka thënë Kadriu.

Propozimi për fillimin e procedurave për revidimin e pjesshëm të projektit, që duhet të miratohet në Kuvend Komunal, është përkrahur pozita, ndërsa është kundërshtuar nga opozita.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se përkrahin ndryshimin e propozuar, duke shtuar se edhe atëherë ka qenë kërkesë e qytetarëve që kjo pjesë të mbulohet, por në njëfarë mënyre është injoruar nga projektuesi.

Në favor të revidimit të projektit janë deklaruar edhe Selami Xhemajli (AAK) e Ismet Hajdini (AKR). Meqë është interes i qytetarëve, atëherë duhet të përkrahet mbulimi i këtij segmenti, kanë thënë ata.

Opozita nuk u pajtua për ndryshimin e projektit. Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se projekti është bërë nga ekspertët dhe nuk mund të ndryshohet tani për interesa të individëve.

Nevzad Isufi (VV) tha se ndoshta do të ishte më mirë të kërkohen zgjidhje tjera në vend se të mbulohet lumi. Nëse ndodh ky revidim i projektit, atëherë duhet të shfrytëzohet mundësia që njëkohësisht të vendoset edhe infrastruktura nëntokësore, në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje më vonë.

Përndryshe, KPF e ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe projekt-rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, me propozimet e bëra, të cilën e ka paraqitur Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, pastaj planin operativ emergjent për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, që e ka prezantuar Nehat Ibrahimi.

Po ashtu është rekomanduar edhe kërkesa e Komitetit për Kulturë, për financimin e manifestimit “Flaka e Janarit 2016”. Sahit Abazi (PDK) ka thënë se kostoja financiare prej 35 mijë euro, është e lartë, nëse merret parasysh dieta buxhetore e Komunës.

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se “Flaka e Janarit”, që ka një traditë 25 vjeçare dhe është një manifestim unik mbarëkombëtar, përmes të cilit nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët, duhet të mbahet pavarësisht nëse jemi në ditë buxhetore, ose jo. /2L ONLINE/