DYLON

KPF e dërgon në Kuvend Komunal problemin e Teatrit të Qytetit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka diskutuar të enjten për gjendjen në Teatrin e Qytetit dhe çështjen e ka rekomanduar për Kuvend Komunal, ku do të vendoset për një zgjidhje adekuate, pasi të shqyrtohen variantet e propozuara nga Bordi i Teatrit dhe Njësia për Kulturë. Diskutimin e problemeve në Teatër e ka inicuar Sahit Abazi (PDK).

Një njoftim për anëtarët e KPF, rreth gjendjes në këtë institucion, e ka dhënë Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, i cili ka thënë se diskutimi nuk ka për qëllim politizimin e këtij institucioni kulturor, por gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e situatës aktuale.

EkoHigjiena

Sipas tij, statusi i Teatrit të Gjilanit duhet të ndryshohet dhe të harmonizohet me ligjin për teatrot, si hap i parë për zgjidhjen e problemit.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se me shefat e grupeve të këshilltarëve do të takohet para seancës së ardhshme të Kuvendit Komunal, për të propozuar një zgjidhje konkrete për Teatrin e Qytetit.

Sahit Abazi (PDK), ka thënë se ftesa jonë, është një reflektim mbi gjendjen e keqe në Teatrin e Qytetit, ku duhet gjetur në zgjidhje, ndoshta duke marrë si shembull edhe mënyrën si kanë vepruar disa komuna tjera me teatrot e tyre.

Në favor të zgjidhjes së statusit të Teatrit, për ta nxjerrë atë nga problemet me të cilat po përballet prej vitesh, ishin edhe Selami Xhemajli (AAK), Bujar Nevzati (PDK), Avdyl Aliu (LDK), Nevzad Isufi (VV), Zijadin Maliqi (LDK).

KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatave dhe klubeve sportive, duke mos e përfshirë tani për tani shoqatën “Liria”, meqë nuk ka sjellë ende raport mbi shpenzimin e subvencioneve të vitit të kaluar. Bujar Nevzati (PDK) ka kërkuar auditim në këtë shoqatë, para se do të vendoset për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e aktiviteteve të saj.

Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe propozimin për kompensimin e komisionit për plotësimin e emërtimeve të rrugëve dhe adresave, por pa e caktuar shumën, pastaj propozim-vendimin për funksionalizimin e Komitetit për bashkëpunim ndërkufitar dhe të Komitetit për barazi gjinore, sikurse edhe rekomandimin për ndarjen e mjeteve për botimin e dorëshkirmeve të poetit Beqir Musliu.

Nevzad Isufi kërkoi që pjesë e këtij rekomandimi të jetë edhe financimi i botimit të librit të Aliriza Selmanit, për të cilin u tregua mirëkuptim nga KPF, por u tha se më parë duhet të ndiqen procedurat e parapara.

Njëherësh, KPF e rekomandoi edhe kërkesën për ndarjen e mjeteve për festivalin “Gjilani 2015”, pa e përcaktuar shumën, e cila, siç u tha, do të vendoset në Kuvend Komunal.

KPF e ka miraruar edhe kërkesën e Lëvizjes “Vatra”, si rekomandim për qeverinë e Kosovës, për nxjerrjen e një Udhëzimi Administrativ për krijimin e lehtësirave për qytetarët e Kosovës Lindore, sa i përket marrjes së shtetësisë dhe pajijes me dokumente personale. /2L ONLINE/