Kosovës i kërkohet të shkelë mbi vetëvetën për ta shpëtuar rajonin nga Rusia

Kosovës i kërkohet të shkelë mbi vetëvetën për ta shpëtuar rajonin nga Rusia

Deshëm ose jo ta pranojmë, pozicioni i Serbisë në raport me Kosovën, Bashkimin Evropian dhe ShBA-të, është forcuar nga vizita e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi. Nuk ka vend në Ballkanin Perëndimor më pro-rus se Serbia, mirëpo kjo i dhezë Serbisë në botë, kryesisht tek BE-ja dhe ShBA-të, për shumë arsyeje.

Shkruan: Ardian Azemi

Po bëhen disa vite bisedime mes dy shteteve, me 33 marrëveshje të arritura në Bruksel, që të gjitha të injoruara nga Serbia, dhe pa asnjë reagim as nga BE dhe as nga ShBA. Nuk është e rastësishme vizita e Putinit në Serbi, bash në kohën kur procesi i dialogut është kah fundi. Qëllimi është për ta aktivizua BE-në dhe ShBA-t për një dinamikë të re e cila sjell një marrëveshje të përshpejtuar dhe të pranueshme për Serbinë, nga frika e rritës dhe shtrirjes së ndikimit rus në Ballkan.

Kosova është në pozitë shumë të rënduar, ndoshta më keq se kurdoherë tjetër. Shteti ynë është pa mbështetjen e BE-së, e kam fjalën si institucione të kësaj familje të madhe shtetesh, sepse shtete veç e veç e përkrahin tërësinë territoriale të Kosovës, si Gjermania përshembull. ShBA-t kërkojnë nga Kosova pezullimin e taksës për ti hap rrugë dialogut, dhe kjo bëhet si një lloj paralajmërimi indirekt; pezullojeni taksën e të vazhdoj dialogu, a po e shihni se Rusia po rritet atje, dhe se çdo vonesë për një marrëveshje, nënkupton rritje te ndikimit rus në Ballkan. Kjo është ajo për të cilën ShBA-t mendojnë, jo që iu prishë punë taksa, sepse për ata nuk është risi taksa, e bëjnë shpesh dhe sa herë të duan, madje për pak punë.

Problemi është shumë më i thellë se sa ne mund ta imagjinojmë. As për BE-n e as për ShBA-t nuk paraqesin problem as Serbia e as Kosova, problem paraqet mundësia që përmes Serbisë të rritet ndikimi rus, prandaj Kosovës i kërkohet të shkelë mbi vetëvetën për ta “shpëtuar” rajonin nga Rusia, dmth Kosovës i kërkohet të heqë dorë edhe nga një pjesë e territorit, edhe ti ndryshoj kufijtë, vetëm që të arrihet një marrëveshje që e kënaqë Serbinë, si kusht që kjo e fundit me orientua kah perëndimi.

Përveç mungesës së vullnetit politik në Kosovë për tu pozicionuar në mbrojtjen e asaj çfarë realisht ka mbetur për ta mbrojtur, edhe Shqipëria ka dëshmuar mungesë të gatishmërisë për ti dal në krah pozicionit të Kosovës në procese të rëndësishme të kohës. Madje për më keq, Shqipëria përkrah ide të rrezikshme për Kosovën, ide të cilat kanë dal nga lider tanë e që dreqi e i biri e di të kujt realisht janë. Pa përkrahjen e shtetit shqiptar, Kosova vështirë ta ruaj pozicionin e drejtë dhe të qartë karshi fuqive të mëdha.

Nga shpallja e Kosovës shtet e këndej, institucionet tona kanë ushtrua një politikë nënshtruese ndaj Serbisë dhe BE-së, kinse për ta krijuar një imazh paqësor të Kosovës. Si rezultat i kësaj politike nënshtruese, kemi ardhë në një situatë kur janë ndrrua rolet; Serbia ka qenë pushtuese dhe ka marrë me vete mijëra të vrarë e masakruar, me dhjetëra të përdhunuara, me shkatërrime, dhe mbanë ende sekret varrezat masive, ndërsa nxjerrë kushte ndaj Kosovës, përderisa Kosova nga të qenit viktimë, është treguar e gatshme të ulet në tavolinë pa kushte. Kjo është e pa pranueshme, as politike e as njerëzore, nuk është vlerë që promovon Evropa.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE