Kosovën e pret një rrugë e gjatë drejt zhvillimit social dhe ekonomik

Kosovën e pret një rrugë e gjatë drejt zhvillimit social dhe ekonomik

Këtë shkrim po e nisi me një konkluzion të një raporti të Bankës Botërore, e cila ka konstatuar se Kosova ekonomikisht qëndron së paku 60 vite larg standardit ekonomik evropian.

Shkruan: Liridon Rama

Në këtë varg raportesh për mos zhvillim ekonomik, mund të theksojmë se gjatë vitit 2018 në Kosovë pritet të ketë rritje ekonomike prej 4.4%, por e cila rritje nuk pritet të ketë impakt në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e standardit për qytetarët.

Por me çka në fakt përballen qytetarët e Kosovës pos numrave të frikshëm të cilët tregojnë se për gjeneratat e reja nuk pritet të ketë prosperitet, kjo kërkon diskutim të gjerë.

Iluzioni se me një shtet të pavarur dhe të lirë, do të ndodhin edhe ndryshime pozitive çdo ditë e më shumë po venitet falë përballjes së përditshme me një realitet të zymtë.

Nëse fokusohemi tek standardi jetësor të cilin e gëzojnë pjesa dërrmuese e këtij vendi, realisht mund të themi se mungon ‘dora’ e shtetit në përmirësimin e kësaj gjendje.

Sipas një raporti të fundit të Agjensionit Statistikor të Kosovës, jo të gjithë sektorët patën rritje të shprehur të pagave nëpër vite. Në sektorin publik, paga bruto, për periudhën 2012-2016, u rrit për 118 euro. Te sektori privat, kishte vetëm një rritje prej 4 Eurosh, brenda periudhës në fjalë, nga 367 në 371 Euro. Te ndërmarrjet publike, pati rritje më të madhe me 142 Euro më shumë se viti 2012.

Sipas këtij raporti, sektori privat vazhdon të ketë rritjen me të ulët në Ballkan, e marrë parasysh që sektori privat është shtylla e zhvillimit të një shteti, duket se në Kosovë s’do të ndodh ashtu edhe për dhjetëra vite.

Pas zhurmës të cilën e prodhuan zgjedhjet në nivel qendror dhe ato lokal, rruga drejt zhvillimit duket edhe më e zbehtë.

Në këtë kontekst ‘zhvillimesh’, qeveria Kosovës ka emëruar më shumë se 63 zëvendës-ministra, ndërkohë që papunësia është rritur me 4.4% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e ndërsa raporti i bankës botërore rekomandon qeverinë e Kosovës që të ulë kostot e saj, dhe të fokusohet në reforma të cilat do të mundësonin rritjen e kualitetit në arsim, rritjen e cilësisë në sektorin e shëndetësisë dhe favorizimin e investitorëve vendas dhe të huaj.

Por këto rekomandime nuk do të mund të implementohen nga parti apo politikan që interesin personal dhe familjar e kanë para atij shtetëror e institucional.

Për shumë qytetarë kjo formë e udhëheqjes së institucioneve sjell vetëm zhgënjim dhe dëshirë për të emigruar jashtëligjshëm, e kjo është ndoshta e ‘vetmja’ zgjidhje që kanë para vetës ngase duket se prej disa vitesh janë instaluar mes nesh kultura e mungesës së shpresës, e poshtërimit dhe ajo e frikës, me të cilat Dominique Moisi thotë se rindërtohet bota, por që në Kosovë po ndikojnë në dëshpërimin dhe evakuimin e popullatës.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE