(2LONLINE) – Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje në një tubim para qytetarëve bëri prezantimin e njerëzve të rinj që iu bashkëngjitën Lëvizjes dhe hapat kryesorë për realizimin e Alternativës së saj Qeverisëse. Në këtë tubim morën pjesë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, sekretar organizativ, Elvis Hoxha, anëtar i Këshillit të përgjithshëm
Kreu i kësaj Lëvizjeje Albin Kurti, me Alternativën qeverisëse në dorë tha se ky është libri më i rëndësishëm në krejt Kosovën për momentin, sepse në të kombinohen vullneti politik, interesi i përgjithshëm, por njëkohësisht edhe zgjidhjet konkrete në kuadër të botëkuptimit të tyre për një zhvillim të qëndrueshëm që garantohet prej një shteti të ri, prej një Republike tjetërfare, që e mendon dhe do ta realizojë Lëvizja Vetvedosje.
Partitë në Kosovë, tha Kurti, ia përshtatin programin liderit. “Në Vetëvendosje ne i përshtatemi konceptit, sepse ne e kemi zgjedhur interesin e përgjithshëm mbi atë privat”, tha ai.
Po ashtu, Kurti theksoi se shteti bëhet i drejtë, zhvillimor dhe social me pushtetin e Vetëvendosjes.
Kurti i prezantoi në detaje zgjidhjet sipas shtyllave kryesore të Alternativës Qeverisëse duke nënvizuar: Tatimi Progresiv si Tatim të drejtë, Rimëkëmbjen e industrisë prodhuese, të drejtat e punëtorëve dhe organizim sindikal, bujqësi që zëvendëson importet, Arsim pa pagesë dhe i lidhur me ekonominë, sigurime shëndetësore publike, rritje e pensioneve si solidaritet midis gjeneratave, politikë e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit, banka për zhvillim,e jo për fajde, sovranitet ekonomik mbi pasuritë natyrore dhe ligj për barazi dhe konfiskim i pasurisë së paligjshme.
Sekretari organizativ, Dardan Molliqaj tha se ristrukturimi e ka ngritur nivelin organizativ si dhe e ka bërë Vetëvedosje-n subjekt ku njerëzit e gjejnë mundësinë për ndryshim.
“Sot, ata që vinë në Lëvizje janë të lidhur pas konceptit dhe Alternativës së saj. Lëvizja Vetëvendosje do të angazhojë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, për ta bërë ndryshimin”, – nënvizoi Molliqaj.
Duke folur edhe për mirëqeverisjen në Prishtinë, ai theksoi se kur ekziston vullneti, atëherë realizimi nuk mungon. “Ashtu siç e ka mundur Shpend Ahmeti Isa Mustafën në Prishtinë, këtë herë do ta mund Albin Kurti, Hashim Thaçin në nivel Kosovë”, përfundoi Dardan Molliqaj.
Profesor Elvis Hoxha, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se Vetëvendosje nuk është më vetëm për Kosovën kriter ndërgjegjeje, por për të gjitha trevat shqiptare. “Vetëvendosje është vendi ku shpirti bashkohet me politikën”, tha ia.
Ndërsa, koordinatori i Qendrës së Vetëvendosje-s në Gjilan, Ismail Kurteshi, i cili duke folur për mobilizimin dhe ristrukturimin e kësaj qendre i prezantoi disa nga ata që kanë aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Në Vetëvendosje tani janë dhe Shemsi Syla, kolonel, Kurtesh Sherifi, profesor doktor, Selajdin Avdullahu, veprimtar, Arban Hoxha, veprimtar, Shpresa Huruglica, mjeke, Salih Llapashtica, mjek, Shefket Musliu, veprimtar, Nehat Osmani, aktivist i çështjeve të sportit.
Në emër të të porsaardhurve, Shemsi Syla, tha se janë sot në vetëvendosje , sepse kjo Lëvizje e mbajti fort platformën kombëtare, dha shumë, ndërsa ne i kemi mbetur borxh, sepse nuk e përkrahëm që nga dita e parë. “Koha sot po thërret që të bashkohemi në këtë alternativë që është e vetmja për realizimin e synimeve tona”, ka thënë Syla. /2lonline/