Policia e Kosovës nuk e ka përfunduar aksionin për kapjen e të dyshuarve për pjesëmarrje në luftën e Sirisë si pjesëtarë të organizatës terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”. Kjo, për faktin, se njeriu kryesor i organizimit të shqiptarëve për pjesëmarrje në Siri, Bujar Brahimi i ka shpëtuar arrestit.
Siç raportojnë mediat, janë edhe 17 pjesëtarë të tjerë, të cilët ndodhen në arrati, që po kërkohen nga organet e rendit.
Bujar Brahimi nga Mitrovica, prijësi i këtij grupi, mik i afërt i Lavdrim Muhaxherit, njeriut që u pa në facebook duke ia prerë kokën një siriani, nuk është gjendur në shtëpi natën e aksionit policor.
Brahimi, siç raporton “Zëri” për 508 ditë ka qenë pjesë e grupit terrorist ISIS në Siri. Ai është kthyer në Kosovë në prill të këtij viti prej ku ka bërë thirrje tek qytetarët e tjerë për të shkuar e për t’iu bashkuar të tjerëve në luftën për xhihad.
Brahimi tashmë dyshohet për terrorizëm dhe i prinë listës prej 57 personave të dyshuar për terrorizëm e nxitje terrorizmi.
Ndërkohë, në aksionin e djeshëm të Policisë janë mbyllur dy vende ku është dyshuar se po rekrutohen të rinjtë për në Siri, xhamia ilegale e improvizuar në objektin e Termokosit në lagjen “Dardania”, në Prishtinë dhe Kulla e Jetimit në Prevallë, e cila dyshohet se ka qenë vendtakim i këtij rrjeti.
Ndryshe në aksionin e djeshëm të Policisë janë arrestuar 40 persona të dyshuar për pjesëmarrje në luftën Sirisë dhe Irakut si pjesëtarë të organizatave terroriste ISIS dhe “Al Nusra”. Të arrestuarve iu janë konfiskuar edhe armë, municion, por sipas policisë, edhe mjete eksplozivi.
Për këtë aksion të policisë kosovare kanë raportuar të gjitha mediet botërore, përfshirë edhe ato arabe. Ndërsa kancelaritë diplomatike të botës që janë të akredituara në Prishtinë, i kanë dhënë mbështetje të fushime institucioneve kosovare për t’i luftuar organizatat ekstremiste.