Aktualisht në qytetin Sant Gallen jetojnë afërsisht 25.000 të huaj, gjegjësisht njerëz që nuk kanë pasaportë zvicerane. Më saktë: në fund të vitit 2018, kur janë publikuar shifrat e fundit deri tash të Zyrës Kantonale për Statistikë, kanë qenë 24.478 të huaj.
Shikuar sipas përkatësisë shtetërore, grupin më të madh të të huajve e përbëjnë gjermanët. Bëhet fjalë për 5263 shtetas gjermanë që jetojnë në qytetin St. Gallen.
Pas gjermanëve, por me një diferencë të madhe, vijnë italianët (2765) dhe më tutje, në vendin e tretë, kosovarët (1976). Në vazhdim janë serbët (1356), portugezët (1176), shtetasit e Maqedonisë (876) etj.
Përveç, shtetasve të Kosovës që janë me shumicë dërmuese shqiptarë, edhe shumicën e shtetasve të Maqedonisë ne këtë qytet mund të konstatohet se e përbëjnë shqiptarët.
Po ashtu një numër i konsiderueshëm shqiptarësh përfshihet edhe në kategorinë e shtetasve të Serbisë, marrë parasysh këtu shqiptarët e Luginës së Preshevës.