Agjencia e Lajmeve Kosovapress, shënon 15 vjetorin e fillimit të punës së saj. Drejtori i saj Skender Krasniqi, tha se gjatë 15 viteve të punës, ky medium ka kaluar nëpër sfida të kohës, megjithatë përvoja ka bërë që KosovaPress të zhvillohet dhe të jetë një media stabile. Krasniqi tha se në kuadër të investimeve të rregullta, Kosovapress gjatë 2014-tës do të ofrojë video lajme edhe nga Shqipëria.
Agjensia e parë e lajmeve në Kosovë “Kosovapress”, feston 15 vjetorin e themelimit të saj dhe sipas drejtorit të saj, 15 vjetori i themelimit, këtë agjenci të lajmeve e zë si agjencinë e lajmeve më të madhe në vend dhe ndër agjencitë më të mëdha në rajon.
“Sot Kosovapress është pjesë e agjencive të pavarura të Evropës dhe një nga themeluesit e asociacionit të agjencive të Evropës Juglindore. Kosovapres-i, gjatë këtyre viteve ka pasur sfida të mëdha së pari të mbijetesës, pastaj të zhvillimit dhe sot, të një pozicioni më të mirë sesa kemi qenë më herët”, tha drejtori i saj, Skender Krasniqi.
Sipas Krasniqit, stafi i kësaj agjencie, që ishte në 8 punëtorë pas luftës, tani janë rreth 60-të. Kosovapres gjatë këtyre viteve të punës së saj, është zhvilluar në fusha të ndryshme, fillimisht ka prodhuar lajme si tekst ndërsa nga viti 2009 ka filluar prodhimin edhe të video dhe audio lajmeve.
“Në disa vende të rajonit kemi filluar me prodhimin edhe të video dhe audio lajmeve. Në fillim me një kamerë dhe sot me tetë kamera dhe gjashtë epike të cilat janë në gjendje t’i përcjellin gjashtë ngjarje në të njëjtën kohë me rreth 60 punëtorë të cilët janë gazetarë, kameramanë, montazher, korrespondentë, redaktorë dhe stafi i marketingut”, tha ai.
Agjencia e lajmeve “Kosovapress” prodhon lajme edhe në gjuhën angleze dhe është hapur zyra e redaksisë edhe në Tiranë ku nga muaji shkurt, pritet të fillojë ofrimi i lajmeve edhe nga Shqipëria. (RTK)