Kosova zgjidhet nikoqire e aktiviteve sportive te Doganave Europiane
“Një moment historik për Doganën e Kosovës. Nga Suedia drejt Kosovës vjen një lajm i rëndësishëm: Dogana e Kosovës është përzgjedhur për të organizuar, për herë të parë në Kosovë, një aktivitet sportiv ndërkombëtar të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane (ECSA) në vitin 2027”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Vendimi u bë i ditur në Mbledhjen e Përgjithshme të ECSA-së në Göteborg të Suedisë, ku Dogana e Kosovës mori pjesë si anëtare e plotë e kësaj organizate.
Për herë të parë, një aktivitet sportiv ndërkombëtar i ECSA-së do të zhvillohet në Kosovë.Dhe jo në një vit të zakonshëm.Në vitin kur ECSA shënon 35-vjetorin e themelimit.
Ky aktivitet do të sjellë në Kosovë përfaqësues dhe pjesëtarë të administratave doganore evropiane, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për sport, bashkëpunim, miqësi dhe frymë ekipore.
Për Doganën e Kosovës, ky është vlerësim për angazhimin e vazhdueshëm në aktivitetet e ECSA-së dhe njëkohësisht besim i drejtpërdrejtë për Kosovën si nikoqire e një ngjarjeje ndërkombëtare.
“Falënderojmë përzemërsisht ECSA-në, presidencën dhe të shtetet anëtare për mbështetjen dhe besimin e dhënë.Një falënderim i veçantë për Doganën e Suedisë për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të Mbledhjes së Përgjithshme. Kosova është gati. ECSA, mirë se vini në Kosovë!”, thuhet në njoftimin e Doganës. /2LONLINE/
