Serbia ka kërcënuar se nëse Prishtina tenton të marr kontrollin mbi Trepçën atëherë situata mund të eskaloj. Një deklaratë të tillë e ka dhënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
“Ne e kemi të pamundur që të mendojmë se dikush nga Prishtina po tenton që ta merr kontrollin ndaj Trepçës dhe kjo në asnjë mënyrë nuk do të implementohet, kurse në kuptimin politik kjo mund t’i komplikojë shumë gjërat… Ende ka gjasa që kjo situatë mos të eskalojë dhe mos të shkojë në drejtim të padëshiruar”, ka kërcënuar Gjuriq.
Mirëpo profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka thotë për “Bota sot” se Kosova duhet të injoroj deklarimet e tilla, pasi që ato janë permanente. Megjithatë, duhet përgatitur edhe për eventualietet e mundshme.
“Qeveria e Kosovës do të duhej të vepronte konform me interesat e përgjithshme të Kosovës dhe t’i injoronte kanosjet e shtetit serb nga se ato janë pothuajse permanente e latente dhe duke mos i neglizhaur paralelisht duhet të përgatitemi edhe për eventualitetet e mundshme e sfiduese”, thekson Smaka.
Sipas Smakës, në këtë rast Kosova duhet të investoj në forcat e armatosura, për shkak të mbrojtjes nga çdo rrezik i mundshëm.
“Ndryshe çdo shtet i mirëfilltë investon jo pak në forcat e armatosura madje duke destinuar mjete e resurse tejet të rënda për buxhetet vendore. Sidomos vendi ynë nuk duhet të jetë neglizhent në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë së vet”, vlerëson ai.
http://botasot.info/kosova/360316/kosova-te-injoroj-kercenimet-serbe-te-investoj-ne-ushtri/