(2L ONLINE) – Deri sa më torturonin udbashët e regjimit titist në burgun e Gjilanit se angazhoheshim për Republikën e Kosovës dhe kur më dërgonin për pak kohë në qelinë ku më kishin vendosur mua, nr 3, mendoja vet me vete (dhe besoj se sikur unë kanë menduar edhe të burgosurit tjerë politik) ja vlen dhe duhet të i përballojmë torturave shtazarake që bënin në edhe mbi ne udbashët gjakpirës.
Shkruan: Ilmi ARIFI
E për fat të keq disa nga këta udbashë edhe sot punojnë nëpër organet e policisë së Kosovës e gjetkë. Mendoja që Kosova për gjashtëqind vjet robëri të saj, herë nën Osmanlinjë e herë nën Serbi,e sa shumë gjak luftëtarësh dhe lot nënash u derdh sa që do krijohej një lum i madh që do vërshonte krejt Kosovën!
Mendoja se kur të lirohet Kosova, udhëheqësit tanë do punojnë shumë për këtë popull kaq të vuajtur ndër shekuj. Mendoja se nuk do të ketë këso të këqijash që sot e kanë kapluar shoqërinë dhe shtetin tonë. Nuk do ketë korrupsion,hajni!
Mendoja që me pasurinë nëntokësore dhe resurset tjera natyrore që ka Kosova,do të bëhet një shtet i denjë dhe i fortë ekonomikisht, si dhe që populli jonë nuk do të ketë ma nevojë të ikën nga Vendi e të marrin rrugët e botës për bukën e gojës.
Mendoja se bile edhe do të ktheheshin nga jashtë në Kosovë.
Mendoja që së paku do na jepej mundësia që të paktën të jetojmë një jetë normale.
Mendoja që fabrikat që i kishim do i rrisnim akoma më shumë si dhe kapacitetin e tyre prodhues,që të punësohen edhe me shumë njerëz punonjës. E nuk e mendoja që pas kaq vitesh në liri dhe pavarësi do të ketë kaq shumë korrupsion,hajni,papunësi. Kaq shume lypsa e lypsari.
Nuk mendoja qe nga një fabrikë gjigante si kjo fabrika e jonë e Tekstilit në Gjilan që dikur kishte tre mijë punëtorë e tash është kthyer në markete konsumi dhe kafene sefaje. Ku në vend të tre mijë punëtorëve sa kishte atëherë tani ka aty diku nga 300-400 të punësuar. Këtë unë nuk e di saktësisht por është një përllogaritje e ime logjike.
Sot në qendër të Gjilanit është një përroskë që qelbet si të ishte në ndonjë fshat të braktisur së cilës që nga viti 2007 ka filluar të i rregullohet shtrati e edhe sot kur kemi vitin 2014 nuk është përfunduar as për së afërmi, e që është dashur të kryhej brenda muajsh. Kështu nuk e mendoja Kosovën time të pas lufte. Të rinj nga Kosova që kanë mbushur burgjet, hajmet dhe rrugët e Evropës e botes mbarë.
Po kështu nuk mendoja edhe për kaq vite sa isha në mërgim, d.m.th. për ato njëzet vite pa e pa Kosovën time të dashur sepse isha i ndjekur nga regjimi serb që sundonte mbi atdheun tim.
Tani që kemi ardhur këtu për të pushuar trupin dhe shpirtin e rënduar nga kurbeti ,nuk po gjejmë rehatinë që e kemi ëndërruar. Ëndrrat tona nuk u bënë realitet! Ato mbeten shpresë dhe ëndërr e djegur!!! /2L ONLINE/