Kosova shteti në zhvillim
Shkruan: Izmi Zeka
/2L ONLINE/ – Ndryshimet janë pjesë e shtetndërtimit të Kosovës dhe në trend me zhvillimet në Evropë. Në këtë vijë vetë lëvizjet në Evropë si në aspektin ekonomik, politik flasin se reformimi apo më saktë ndryshimet janë të domosdoshme për përballim të këtij shekulli që ka një dinamik tjetër krahasuar me shekullin që lamë pas.
Ne nuk mund të jemi përjashtim në këto rregulla ani se jemi shtet në themelim e sipër apo shtet që performon ende me një të kaluar të dhimbshme dhe të llahtarshme kur kujtesa rikthehet dhe ngjall episode të ndryshme. Një është e pandryshueshme që ecja nuk mund të ndalet. Se si do të ecet kjo varet nga shumë faktorë por më i rëndësishmi është faktori njeri.
Sot kemi shtetin i cili është i konstruktuar në bazë të një kushtetute moderne dhe e cila bazament ka qytetarin e Kosovës pa dallim. Po harrohet se Kosova ka shtetin, ka institucionet e saj dhe ka përgjegjësit të cilët menaxhojnë dhe kanë besimin e qytetarëve të Kosovës.
Vlerësoj se koha e patriotizmave ka ikur andaj neve mbetet që këtë filozofi të rikthejmë në një patriotizëm të zhvillimit ekonomik, politik dhe në harmoni me rregullat e lojës që vëmë ne por edhe që mundësojnë kyçjen në mekanizmat ndërkombëtar.
Dikush mund të thotë se ende s’ka përfunduar loja e djallit. Edhe kjo e ka arsyen e vet. Loja tani bëhet me institucione të ligjshme dhe të njohura ndërkombëtarisht. Çdo ikje nga kjo rrugë dekompozon filozofin integruese dhe në bashkërendim me politikat e shekullit të ri pra shekullit XXI. Demokracia në shtetet e zhvilluar kuptohet si rregull, disiplinë e assesi anarki.
Në këtë vazhdë vetë koncepti i determinuar nga qytetarët e Kosovës nuk lejon divergjenca në planifikimin dhe objektivin që kemi si popull. Mendimet e shfaqura herë pas herë qoftë pro ose kundër një vendimi janë edhe pasqyrë e demokratizimit të brendshëm të Kosovës si dhe pikë referuese për performancat që i ka qytetari i Kosovës për jetën e dhe zhvillimin e tij.
Kjo dhe si duket ka filluar të kuptohet në suaza të normalitetit dhe koloritit të shtetit më të ri në botë. Gjërat po marrin qartësinë. Qoftë edhe kur ne jemi të pakënaqur me disa aspekte të funksionimit të shtetit dhe politikave të tij. Prejudikimi nga jashtë është mbase i lehtë sepse mund të duket edhe ngaherë sikur pasqyra nuk po e qet fytyrën si duhet.
Po të pyesje një filozof i cili thoshte po citoj”në je i shëmtuar nuk ka faj pasqyra por fytyra” sigurisht se edhe zhurmat e krijuara për çështje të caktuar të integritetit shtetëror kanë edhe efektin e vet por jo edhe me syrin e një fushate ende të pa bërë publike. Pse e them këtë. Për dy arsye se: Shteti ekziston dhe këtë dilemë duhet ta heqim prej kokës dhe arsyeja tjetër se fuqitë vendosëse e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Popujt që jetojnë tërë kohën në ankth i kane edhe arsyet por rasti i Kosovës është i veçantë dhe si i tillë nuk do shumë atraktivitet politik dhe marketing politik.
Thënë qartë angazhim në ngritjen e kapaciteteve institucionale, ekonomike por edhe shkencore e diplomatike janë vlerat kulmore tani për KOSOVËN. Nuk ka rëndësi fort për modalitetet se si dhe mbi çfarë tereni po shihet funksionimi por fleksibiliteti dhe distanca në mes të qenurit shtet funksional dhe aparaturë formale. Jetëzhvillimi i një vendi mund të ketë edhe paradokset të cilat edhe mund të shfaqen sipërfaqësisht, mirëpo kur kësaj i shtohet vullneti dhe angazhimi profesional e politik dimensioni i zhvillimit dhe kultura e integrimit merr konotacion krejtësisht tjetër.
Në një shtet të sapokrijuar krejtësisht të ri ballafaqimi me sfida është pjesë e procesit andaj dhe nuk kemi nevojë shumë të bimë pre e politikave ditore dhe veprimeve ditore që dëmtojnë në shpirt ritmin dhe gjerësinë e të qenurit shtet. Ka ikur koha kur portreti i një personaliteti është matur nga fjalori i tij, nga retorika e tij. Shkalla e emancipimit politik ka freskuar kulturën politike që vlera të matet me veprime konkrete dhe angazhime konkrete. Ne jemi popull pothuajse më i ri në Ballkan për nga mosha. Kjo fletë shumë për të ardhmen e një vendi.
Qeveria dhe institucionet e saj përcjellëse nuk kanë nevojë të bëjnë hapa që kanë të bëjnë me retorikën fiktive dhe nuk duhet të brengosen për zhurmën nëse mund t’i themi të politikës ditore. Ajo ka imperativ realizimin e një programi qeveritar ( pasi tani shteti është) që mund të thosha duhet t’i kaloj suazat e atij qeveritar.
Faik Konica theksonte “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari” (Albania 16, 15-30 korrik 1898). Në rastin tonë ta duam Kosovën shtetin tonë të ri. Por jo vetëm kaq! /2L ONLINE/
