(2LONLINE) – Në gjashtë vjetorin e shtetit të pavarur, Kosovën e gjejmë në përballje me shumë sfida, prej tyre siç janë; të stabilitetit politik, përkatësisht forcimit të brendshëm shtetëror, të Sistemit Gjyqësor, të garantimit të sigurisë në luftën kundër dukurive negative, të aspektit socio- ekonomik, forcimit të demokracisë, të përdorimit të llojeve të diplomacisë në lobim për njohje të reja, të politikave të procesit të integrimit etj.
I. Problemi i papunesise dhe rinia ne Kosovë
Gjendja më sfiduese në Kosovën e pavarur, s’ka dyshim se është dhe do të mbetet edhe për disa vite; ulja e varfërisë, krijimi i vendeve të reja të punës dhe investimet e huaja, për çka Kosova më shumë se çdo vend tjetër i rajonit ka nevojë.
Përkundër kësaj situate të rënduar socio-ekonomike, qeverisja shtetërore akoma nuk arriti që të bindë një nga shtetet mike “substancë të garantimit të pavarësisë” që të bëjnë “investime strategjike” të përhershme, të dukshme dhe të bujshme, ku do të mund të ulej ndjeshëm niveli e varfërisë, përkatësisht përmirësimit të stabilitetit ekonomik në vend.
Programeve qeveritare, sikur ju ka munguar pikërisht ky koncept praktik i orientimit të investimeve të jashtme ekonomike të krijimit të partnerëve bilateral strategjik, të përfitimit të potencialit financiar të huaj për të rritë zhvillimin ekonomik.
II. Mitrovica veriore dhe asociacioni i komunave Serbe
Përfaqësuesit e serbëve dhe të shqiptarëve të pjesës veriore të Kosovës, kanë mendime të kundërta lidhur me normalizimin dhe zhvillimin e komunës së re të Mitrovicës veriore.
Dykuptimësitë e Marrëveshjes së Brukselit të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd rrezikojnë që Asociacioni serb të veprojë si brenda ashtu edhe jashtë kornizave ligjore të Kosovës, marrëveshja e Brukselit dhe rezultatet e saj, siç është Asociacioni serb po rrezikojnë balancet e vendosur me Pakon e Presidentit Ahtisaari që kishte shërbyer si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Bashkësinë e komunave serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, e përbëjnë komunat me popullatë shumicë serbe. Aty nuk shkruan se a duhet të jenë 9 apo 10 ose ndonjë numër i caktuar komunash. Shkruan vetëm ‘komunat’. Bashkësia e komunave serbe mund të formohet në atë moment që në Bruksel do të përcaktohet statuti i kësaj bashkësie.
Gjithë ashtu me zgjedhjet e fundit lokale është rritur ndikimi i Beogradit nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë, është zbehur roli dhe ndikimi i subjekteve politike nga ky komunitet.
Fitues i vërtetë i zgjedhjeve lokale në Kosovë është Iniciativa qytetare serbe e njohur si lista serbe e cila nuk paraqet një listë demokratike, por listë shtetërore të Beogradit, kjo pra është lista serbe e cila do të sjell shumë probleme në të ardhmen.
III. Sistemi Gjyqësor
Kosova ka një numër të vogël gjykatësish të cilët janë të stërngarkuar me raste në të gjitha nivelet e gjyqësorit, gjyqësori vazhdon të përballet me rastet e profilit të lartë, në veçanti ato që lidhen me krimin e organizuar, krimet e luftës (personave me ndikim).
Ndonëse EULEX-i është duke asistuar në këtë drejtim mire po gjyqësia vendore do të duhet të marrë qëndrim të vendosur për të siguruar pavarësinë e tyre dhe t’i gjykojë ato raste në mënyrë të duhur, si dhe për të fituar respektin e merituar për institucionin karshi ndikimit jo të duhur. Gjithashtu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të përgjigjet zëshëm sulmeve ndaj individëve dhe institucionit, si dhe të kërkojë reagime të ngjashme nga legjislatura dhe ekzekutivi.
Lëndët në gjykata janë grumbulluar për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve, por edhe neglizhencës së gjyqësorit, dhe kjo ka bërë që në Raportin e Progresit gjykatat të marrin pikë të dobët.
Konsideroj se nëse sistemi gjyqësor i Kosovës do të ishte funksional dhe i pavarur nga politika, nuk do të kishte fare nevoj per themelimin e një Gjykate Speciale apo Tribunali për Kosovën, që mund ta dëmtoj imazhin tonë.
IV. Gjykatë Speciale apo Tribunali për Kosovën
Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale apo Tribunali për Kosovën, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht qe paralajmëruar se do të quhej Tribunal, mirëpo për shkak të terminologjisë së ashpër, tani është gjetur një term më i përshtatshëm që të quhet si Gjykatë Speciale.Megjithatë, roli dhe detyrat mbeten ato që janë përmendur edhe më herët. Kjo gjykatë do të kishte juridiksion edhe për krimet që janë kryer pas përfundimi të luftës, por edhe pas vitit 2000- 2001.
Do të ketë juridiksion edhe për krimet e vrasjeve me motive politike që janë kryer gjatë viteve 2000 – 2001, pastaj për vrasjet apo kërcënimet që pretendohet se janë kryer ndaj dëshmitarëve, por edhe për veprat korruptive. Kështu që ajo nuk do të jetë vetëm për krimet e luftës.
V. Integrimet
Kosova e pavarur, me një prezencë të fuqishme ndërkombëtare dhe me institucione në formim e sipër, vazhdon rrugëtimet drejt perëndimit, mirëpo me çalime të shumta, pjesë e një tranzicioni të stërmundimshëm.
Në këtë linjë, bëhen përpjekje të shumëfishta për të unifikuar legjislaturën konform standardeve të kërkuara europiane, punohet për zhvillim ekonomik, sipas parametrave të pranuar, mirëpo, mungon diçka substanciale, mungon shpirti dhe kreativiteti i modelit europian, ai që i paraprinë politikat dhe jo që i ndjek ato.
Parimet e punës perëndimore janë solidariteti, liria dhe demokracia, si shtylla që kultivohen nëpërmjet dialogut. Ku nuk ka dialog të hapur, aty ka përmbysje të vlerave demokratike, të vlerave kulturor dhe kësisoj degradime të përgjithshme që karakterizohen me situata jo stabile. Prandaj, që të mos vonohemi në histori, siç thoshte Faik Konica, duhet të veprojmë energjikishtë në përmirësimin e kësaj gjendje. /2lonline/
/Hamdi Mellova/