Terrorizmi ndërkombëtar dhe transnacional është një kërcënim i pranishëm në Kosovë, i ngjashëm me atë që përballen shumica e vendeve evropiane.
Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamenti të Shtetit Amerikan me titull: “Kosovo 2015 Crime and Safety Report”.
“Prania e njësiteve amerikane ushtarake është një mundësi për terroristët anti-amerikanë me objektiva të mundshëm. Vitet e fundit, Kosova ka parë një rritje të ekstremizmit islamik . Në verën e vitit 2014, policia arrestoi mbi 60 persona të dyshuar për pjesëmarrje ose mbështetjen e luftimeve në Siri dhe Irak. Ka një numër të qytetarëve të cilët kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak për të luftuar dhe kjo përbën një shqetësim të madh për qeverinë”, thekson raporti, shkruan INA.
Sipas këtij raporti terroristët lehtë mund të depërtojnë në territorin e këtij shteti të ri për faktin se kufijtë janë porozë dhe nuk ka një program të fortë të vizave.
Aty përmendet edhe arrestimi i shtetasit serb në fund të dhjetorit, i cili u kap nga autoritetet kosovare me një vëllim të madh të eksplozivëve. Kjo çështje thuhet se akoma është nën hetime dhe se nuk dihet objektivi dhe qëllimi i personit të dyshuar për terrorizëm.
Lidhur me këtë fenomen autoritetet në Prishtinë kanë shprehur vendosmërinë dhe angazhimin e Kosovës për të qenë partner i plotë i SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të të gjitha formave.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka theksuar kohë më parë se, Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e fuqishme e mekanizmave globale në luftë kundër terrorizmit.
“Ne e kemi dëshmuar edhe me hapat konkretë me operacionet që kemi ndërmarrë kundër elementëve të dyshuar për aktivitete terroriste dhe ky zotim dhe kjo vendosmëri e institucioneve të Republikës së Kosovës është në të mirën e paqes, stabilitetit të Kosovës edhe të rajonit, në bashkëpunim të ngushtë natyrisht edhe me me vende të tjera ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë për INA se Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe transnacional.
“Vendi ynë në vazhdimësi angazhohet në luftën kundër faktorëve të cilët kërcënojnë sigurinë e saj dhe të fqinjëve. Kërcënimet kanë një gjithëpërfshirje dhe se as Kosova nuk është mbrojtur nga këto rreziqe: Terrorizmi, ekstremizmi etnik dhe fetar, krimi i organizuar, përfshirë edhe trafikimi, krimet ekonomike, krimet kibernetike, proliferimi i armëve të shkatërrimit masiv etj”, shprehet ai.
Ai thekson se , terrorizmi nuk është problem vetëm i një shteti apo grupi të tyre, por ky fenomen është i përmasave ndërkombëtare.
http://ina-online.net/kosova/55672.html