Kosova ndryshon ngjyrë. Kombëtarja më e re e Europës planifikon dy miqësoret e radhës kundër Turqisë dhe Senagalit, duke u dhënë një dorë të gjitha detajeve për dy ndeshjet e radhës. Pas sfidës kundër Haitit në muajin Mars, Kosova do të presë Turqinë në Mitrovicë në fund të këtij muaji, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Zvicrës për të sfiduar afrikanët e Senegalit. Ndryshe nga ndeshja e parë ku skuadra e Bunjakut luajti me fanella të bardha, në dy 90 minutëshat e radhës, Kosova do të mbaje veshje me ngjyrë të kaltër. Lajmin e konfirmoi për mediat kosovare sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
Sipas informacioneve, shkak i ndryshimit të fanellave është edhe ndryshimi i sponsorit sportiv. Ndeshja miqësore Kosovë-Turqi do të zhvillohet me 21 Maj në Mitrovicë, ndërsa përballja Kosovë–Senegal do të luhet katër ditë më vonë në Gjenevë. FIFA i ka njohur Kosovës të drejtën e ndeshjeve miqësore, ndërsa kjo kombëtare mund të luajë eliminatore zyrtare vetëm në rast se bëhet anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.