Shkuarja e qytetarëve të Kosovës për të luftuar në Siri, si dhe dështimi i institucioneve vendore, përkatësisht gjyqësore, për të dënuar “krimet e luftës”, ka krijuar një imazh negativ për vendin. Ekspertët vlerësojnë se zhvillimet e fundit në vend i kanë dhënë një hije të zezë Kosovës, e cila pretendon që në të ardhmen të jetë shtet i Bashkimit Evropian.
Ndërsa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se kanë punuar dhe po punojnë që Kosova të njihet më mirë dhe përtej raportimeve momentale nëpër media të ndryshme. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, në një prononcim për gazetën “Tribuna”, ka thënë se, dikasteri në të cilin ai punon, nëpërmjet projekteve të shumta të diplomacisë publike dhe digjitale, të implementuara me Ministri të Jashtme simotra, ka punuar që Kosova të njihet më mirë dhe përtej raportimeve momentale mediale.
“Kosova ka probleme afatgjate që ende njihen si zonë post-konfliktueze, prandaj duhet edhe investim afatgjatë dhe bashkëpunim me shoqërinë civile dhe mediet për promovimin pozitiv të Kosovës”, ka deklaruar Petrit Selimi.