Kosova, ky vend me shumë kategori votuesish

Kosova, ky vend me shumë kategori votuesish

Kosova ka shtatë lloj votuesish; votues të betonuar (militantë), votues të zorit, të frikës, të inatit, votues që vendosin te kutitë, që lexojnë gazeta, dhe ata që kurrë nuk dinë me thënë JO.

Ardian Azemi

Të betonuarit janë votues që nuk iu intereson as programi, as kandidati, e as opinioni jashtë partisë. Ata në borë e në shi, në temperatura edhe +45 gradë, edhe në -25 gradë, votojnë ora shtatë në mëngjes që të jenë të lirë gjatë ditës me bartë votues.

Të zorit janë votues kryesisht ata që politika i ka gjunjëzua ekonomikisht. Çdo palë zgjedhje kemi diskutuar për blerje të votës, dhe kemi thënë si ka mundësi me shitë votën për njëqind kilogram miell e pak vaj e sheqer, por asnjëherë nuk kam dëgjua dikë duke thënë se këta votues nuk mendojnë për katër vjet, sepse nuk ka mjaftueshëm bukë për dy ditë.

Të frikës janë të punësuarit, ata të cilët janë punësua qoftë meritueshëm apo përmes partisë. Kjo kategori votuesish nuk guxon të jetë në kundërshtim me partinë që e ka punësua, sepse rrezikon të mbetet pa punë. Pra, me apo pa dashje, “kokrra” duhet të shkoi te boss-i.

Të inatit janë votues që të marrin në qafë.. Ata janë në gjendje ta bëjnë punën bërllok vetëm se nuk bëhet siç thonë ata, vetëm që nuk i bindet shumica. Këta votues po rriten numerikisht, dhe rreziku vjen nga ta atëherë kur partia më nuk është e dobishme për ta, dhe kësisoj inati e mund arsyen.

Ata që vendosin tek kutitë janë numerikisht shumë, dhe që befasojnë në rezultat. Këta votues edhe sikur gjashtë muaj fushatë të ketë, fija nuk është me kuptua kah janë. Vendosin veç pak sekonda para votimit, dhe ka shumë mundësi që pak orë pasi ka votua, nuk e di për kanë ka votua.

Ata që lexojnë gazeta, janë votues të ndershëm, nuk rrejnë, nuk pranojnë ti lypet vota, sepse ata janë të përcaktuar në momentin që dalin kandidaturat. Por, këta votues nuk ndikojnë në rezultat final, sepse dihet sa lexohet gazeta.

Votuesit që nuk dinë me thënë JO, janë kategori që e kanë mirë me krejt. Këta janë mendje mprehtë, nuk ia prishin qefin askujt, të gjithëve ua japin votën, por publike votën e tyre e bëjnë pas rezultateve, sepse gjithmonë iu rastisë ta kenë votua atë që fiton.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE