Kosova, kampione e U18

Kosova, kampione e U18

Kosova ka mundur Luksemburgun 84:58 (26:20, 20:25, 22:3, 16:10) për të triumfuar në FIBA European Challenger, për U18 te meshkujt, kampionat që u zhvillua në Tiranë, ka njoftuar FBK-ja

Dardanët shënuan katër fitore në katër ndeshje dhe me meritë u shpall kampione e kësaj gare. MVP i këtij kampionati u shpall Visar Ejupi i Kosovës.

Pas një fillimi të baraspeshuar, basketbollistët e Kosovës filluan të luajnë më mirë, duke pasur epërsi 20:12, derisa çereku i parë përfundon 26:20. Dardanët e rinj vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë në 34:24, por një seri prej 0:7 nga ana e Luksemburgut ngushtoi shifrat në 34:31. Kosova sërish mori lojën në duar, duke arritur epërsi prej 44:36, por më pas kishte një rënie dhe pjesa e parë përfundon 46:45.

Kosova ishte fantastike në periodën e tretë, që dominoi në mbrojtje dhe në sulm, ku arritën epërsi prej 20 pikësh, 68:48, ndërsa Luksemburgu shënoi vetëm tri pikë për dhjetë minuta dhe kjo ishte një meritë e Dardanëve që aplikuan mbrojtje të fortë dhe agresive, duke ndalur lojtarët kryesorë të tij. Dardanët menaxhuan lojën edhe në 10 minutat e fundit, madje thelluan edhe më shumë epërsinë, për të triumfuar në fund 84:58.

Te Kosova në finale u dalluan Dion Sheqiri me 14 pikë, 8 kërcime e 9 asistime, Hajriz Hazeri me 11 pikë e 10 kërcime, Rinol Gashi me 13 pikë e 10 kërcime, Visar Ejupi me 14 pikë, Eliot Peci me 13 dhe Bardh Istrefi me 10 pikë.

Vendin e tretë e zuri Shqipëria, të katërtin Andorra, Gjibraltari u rendit i pesti, Malta të gjashtin dhe Moldavia të shtatin., bënë të ditur FBK. /2LONLINE.com/

KOMENTE