DYLON

Kosova ka nevojë për një kulturë politike që ndërton, jo që rrënon!

Kosova ka nevojë për një kulturë politike që ndërton, jo që rrënon!
Avatar photo Redaksia

Nga: Ardian Azemi

Kurrë nuk do ta kisha menduar se pas vitit 1999, në një Kosovë të lirë dhe sovrane, do të përballeshim me forma të tilla të mendësisë politike, jo veç si rivalitet idesh, por si një deformim i vetë kuptimit të shtetit dhe përgjegjësisë publike.

EkoHigjiena

Politika në thelb, nuk është vetëm pushtet, është etikë, është kujtesë kolektive dhe është përgjegjësi ndaj sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë.

Kur kjo etikë zëvendësohet me arrogancë, kur përgjegjësia zëvendësohet me përçarje dhe kur interesi i përgjithshëm zbehet përballë kalkulimeve të ngushta, atëherë s’kemi të bëjmë vetëm me një problem politik, më shumë se kjo, është problem moral dhe shoqëror. Një shoqëri që lejon normalizimin e kësaj mendësie, rrezikon të humbasë busullën e vet historike.

Kosova nuk ka luksin e krizave të prodhuara artificialisht. Ajo ka nevojë për maturi, për seriozitet institucional dhe për një kulturë politike që ndërton, jo që rrënon. Ndryshimi është çështje e rikthimit të kuptimit të shtetit si e mirë e përbashkët, jo si mjet për dominim apo përçarje.

Prandaj, sfida kryesore e jona nuk është vetëm të kundërshtojmë individë apo qeveri të caktuara, por të refuzojmë një mendësi që e dobëson shtetin nga brenda.

Shtetet rrallë rrëzohen nga jashtë, ato dobësohen kur brenda tyre zbehet ndjenja e përgjegjësisë, e unitetit dhe e qëllimit të përbashkët.

Ne jemi një popull i vogël, me një histori të madhe sakrifice. Pikërisht për këtë arsye, kemi detyrimin të jemi më të mëdhenj se përçarjet tona, të ndërtojmë më shumë besim, më shumë drejtësi dhe më shumë unitet. Vetëm kështu liria nuk mbetet vetëm si një kujtim, por bëhet një projekt i përditshëm i përbashkët.  /2LONLINE/