ShBA, Franca, Britania e Madhe përderisa kanë vlerësuar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në të cilat, sipas tyre, Kosova ka treguar se ka kapacitete për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta, kanë dënuar sulmet e grupeve ekstremiste ndaj tri qendrave të votimit në veri të Mitrovicës, duke kërkuar që, akterët e këtyre sulmeve të nxirren para organeve të drejtësisë. Përfaqësues të këtyre vendeve, kanë pohuar se vetëm dialogu i drejtpërdrejt midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, tejkalon dhe ofron zgjidhje për të gjitha problemet që mund të kenë palët, trasnmeton RTK.
Përfaqësuesi i Francës në OKB ka thënë se Franca mirëpret normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës që janë aktuale ende.
Ai ka thënë se javët e fundit në Kosovë ka pasur zgjedhje lokale që janë mbështetur nga OSBE dhe se numri i pjesëmarrje ka qenë i kënaqshme.
Sipas tij, serbët në Kosovë kanë dëshmuar me dalje masive se janë të gatshëm të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim.
Franca ka dënuar vrasjen e pjesëtarit të EULEX në veri, duke thënë se është një rast për keqardhje dhe se kryesit e këtij akti duhet të përballen me drejtësinë.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë të interesuara për marrëdhënie për fqinjësi të mirë drejt rrugës në BE-së. Ai ka inkurajuar të dyja shtetet për vazhdimin e dialogut.
Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë, Vitali Curkin, ka pohuar se ata mbështesin Beogradin për zgjidhjen e probleme me anë të dialogut, i cili duhet të vazhdojë duke pasur për bazë rezolutën 1244.
Ai ka pohuar se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jenë të fokusuar për situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij, është e rënd.
Duke folur për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ai ka thënë se ato nuk kanë qenë të qeta, pasi që para tyre, është frikësuar popullata atje. “Kjo tregon se sa e brishtë është situata atje”, ka thënë ai duke shtuar se situata e komunitetit serb është mjaftë shqetësuese.
Curkin ka thënë se autoritetet e Prishtinës, me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, hezitojnë të garantojnë kthimin e serbëve të shpërngulur në shtëpitë e tyre.
Ai edhe në këtë seancë ka folur për krimin e organizuar dhe tregtinë me organet njerëzore, për hetimin e të cilave, sipas tij, ka një progres shumë të ulët, duke u deklaruar i habitur se si Prishtina bënë thirrje për zvogëlim të pranisë së EULEX-it në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e SHBA-së në KS të OKB, ka thënë se Kosova ka kapacitete për organizmin e zgjedhjeve. Sipas saj, komunikimi mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet.
Ne emër të SHBA-së, ajo ka shprehur ngushëllime për familjen e pjesëtarit të EULEX-it, i vrarë muaj më parë në veri të Kosovës nga persona ende të panjohur. Ajo ka falënderuar të gjithë ata që kanë organizuar zgjedhje të lira, fer dhe demokratike më 3 nëntor dhe për zgjedhjet e përsëritura në veri, në tri qendrat e votimit.
Ajo ka thënë se SHBA nuk mund të lejojnë që disa persona siç kanë vepruar në veri të Kosovës më 3 nëntor të prishin udhëtimin e Kosovës drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Ajo ka inkurajuar dy qeveritë, si në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë dialogun për çështje të ndryshme.
Edhe përfaqësuesja e Luksemburgut ka thënë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë të parat që janë mbajtur në tërë territorin dhe me ligjet e Kosovës. Ka qenë ky një hap i rëndësishëm andaj ajo ka falënderuar përfaqësuesit e të dyja shteteve që kanë inkurajuar qytetarët që të dalin në zgjedhje si dhe OSBE-në që ka lehtësuar procesin.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke dhënë rezultate andaj Catherin Ashton meriton përshëndetje për angazhimet e saja në këtë drejtim.
“Në rrugën drejt BE, Kosova dhe Serbia do ta kenë përkrahjen e Luksemburgut”, , ka thënë ajo.
Ndërsa përfaqësusi i Anglisë, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar përgëzon institucionet e Kosovës për organizmin me sukses të zgjedhjeve. Sipas tij, rol kyç në këtë proces kanë pasur edhe OSBE, KFOR, EULEX dhe të tjerë. Ai ka dënuar aktin e vandalizmit në tre qendra të vend votimit në veri të Kosovës, më 3 nëntor duke apeluar që kryesit e këtyre akteve qyqare të dënohen nga organet kompetente. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale ka qenë e kënaqshme dhe se procesi i reformë zgjedhore duhet të vazhdoi në Kosovë. Ai ka përshëndetur edhe arritjen e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fushat e energjisë dhe telekomunikacionit.
Britani e Madhe u ka bërë thirrje shteteve që s`e kanë njohur Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.