/2L ONLINE/ – Më fal o Vendi im, Kosova ime, gjaku im se nuk po mund të bëj asgjë për ty! Sa herë që e shoh veten në pasqyrë, e shoh fytyrën time me rrudha dhe flokët me thinja. Nganjëherë nervozohem, por nganjëherë them:-Punë e madhe, le të dalin se ato s’kanë punë tjetër, por në fakt çdo rrudhë dhe thinjë e imja ka një hall të vetin. Gjithçka më sillet nëpër kokë për atë çast,.. Deri në vitin e tretë të shkollës së mesme u rrita shumë e lumtur dhe kjo falë prindërve të mi! Po në këtë vit pashë luftën me sytë e mi, dëgjova lajme të këqija që po ndodhnin në vendin tonë nga serbët dhe e mbaj mend se frikësohesha shumë.
Derisa ktheheshim nga shkolla në shtëpi, shihja tanke që dridhnin tokën dhe ushtarë serbë të armatosur që të dridhnin shpirtin. Ndërruam shumë shtëpi për të shpëtuar kokën, dëgjuam krisma nga katër anët, rrinim shumë veta në një dhomë, qëndruam edhe në mal, mbanim ushqim nëpër xhepa derisa iu binte myku, se nuk e dinim si do të na vinte puna. Përjetova frikë të tmerrshme se ishte kohë shumë e keqe dhe kjo kohë ngjalli urrejtje në shpirtin tim. Pastaj lufta u krye dhe unë shkova në fakultet, aty më priste një rrugë e gjatë e dijes dhe e mbaj mend se lexoja tërë natën. Sa herë që kisha provim unë nuk mund të flija nga shqetësimi, zemra më dridhej.
Edhe aty kishte profesorë të mirë, po edhe profesorë që na injoronin dhe silleshin keq me neve, si çdo kund nëpër institucionet tona. Po, nejse edhe kjo u krye me sukses! Thinjat i kam dhuratë nga fakulteti dhe meriton një falënderim të veçantë. Më kujtohet edhe kur isha e sëmurë dhe vrapoja nëpër spitale duke dhënë shuma të mëdha parash që të shërohesha. Vetëm një javë të sëmuremi, paga mujore shkon pa i llogaritur gjërat ushqimore dhe patjetër duhet të kërkojmë ndihmë dhe të bëhemi lypsarë, sepse ne paguhemi vetëm për të ngrënë e pirë! Qe katër vite ne po përballemi me sëmundjen e nënës sime dhe nuk po gjejmë terapi shëruese. Po vdesim pak nga pak bashkë me të.
Mundohem të jem e fortë, por edhe unë jam njeri, lëndohem, bërtas, qaj, sëmurem, vuaj dhe e kuptoj barrën e rëndë të jetesës. Frika më e madhe është sot dhe dua të dalë te tema kryesore, çdo ditë shoh parregullsi, padrejtësi, dembelizëm, koprraci. Shoh njerëz të dëshpëruar dhe pa shtëpi, fëmijë të sëmurë me kancer dhe pa para, pleq të mbetur rrugëve, të rinj e të reja që vetëvriten, fëmijë që mbyten në barkun e nënës nga nënat e tyre, njerëz që përdorin drogë dhe trafikojnë qenie njerëzore, njerëz që shajnë, ofendojnë dhe rrahin gratë vetëm pse hoxha ka thënë se aty ku ia mëshon gruas nuk e djeg zjarri i Xhehnemit, bile po ndodh shpesh që edhe po i vrasin.
Në lokalet e kiosqet tona iu shiten lloje të ndryshme të drogave fëmijëve tanë dhe e pat puna jonë si prind, tërë ajo dashuri dhe sakrificë për të rritur dhe edukuar fëmijët, përfundon pas një qese najloni nga mashtrimet e njerëzve të këqij. Këta njerëz po ia shpërlajnë trurin me lloj-lloj ide Njerëzit po vriten dhe nuk e dinë pse po vriten. Njerëz që punojnë shumë, me mish e me shpirt, por çuditërisht as nuk vlerësohen dhe as nuk shihen, sepse gradat dhe titujt e mëdha i fitojnë ata që punojnë vetëm një ditë në vit. Njerëz të degjeneruar që dalin në programe televizive. Njerëz që shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, kinse kanë qenë ushtarë të UÇK-së për të përfituar para… Mjerim, mjerim, mjerim! Të mjerët ne, ku po i rrisim fëmijët tanë. Vendi im edhe unë po vuaj bashkë me ty! Kjo jam unë para pasqyrës ashtu si Kosova ime dhe të dyja dukemi të lënduara, të trishtuara, të frikësuara për të ardhmen e fëmijëve tanë! Frika ka nisur t’a mposhtë lumturinë time! Këto vite janë thinjat dhe rrudhat e mia dhe po shtohen çdo ditë… bashkë me gjërat e këqija që po ndodhin. Më fal o Vendi im, Kosova ime, gjaku im, që nuk po mund të bëj asgjë për ty, por të premtoj se do të përpiqem deri në frymën e fundit! /2L ONLINE/