Kosova fitoi një medalje të artë në turneun “Mimoza e Artë”
Përfaqësuesja e Kosovës në boks për juniorë, ka marrë pjesë në turneun e madh ndërkombëtar ”Mimoza e Artë” në Hercegnovi të Malit të Zi, me shtatë boksier dhe ka arritur të fitoi 1 medalje të artë. Në këtë turne kanë marrë pjesë 9 shtete: Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
Kosovën e përfaqësuan Fatos Ferizi (56 kg) e Arian Gashi (69 kg), Valon Ahmeti (56 kg), Edmond Zefi (60 kg), Visar Rexhepi (64 kg), Ardit Deliu (81 kg) dhe Fisnik Muharremi (91 kg). Medaljen e artë e fitoi Visar Rexhepi, i cili e mundi boksierin maqedonas Kehriman Ali dhe tregoi boks mjaft cilësor, duke dëshmuar se është në formë të mirë për Kampionatin botëror për të rinj që do të mbahet muajin e ardhshëm në Bullgari, transmeton RTK.
Arian Gashi fitoi medaljen e argjendtë, pasi në gjysmëfinale e mposhti italianin Alesandro Marciali, por në finale u mposht nga malazezi, Emir Shabotiq, pas një lufte dinamike në ring. Në fund, juria e shpalli pikërisht Emir Shabotiqin, si boksierin më të mirë të turneut, derisa çifti më luftarak doli ai ndërmjet Valon Ahmetit të Kosovës dhe Krenar Zenelit të Shqipërisë, meç në të cilin fitores iu gëzua boksieri nga Shqipëria. Në kategorinë 60kg, Edmond Zefi humbi nga boksieri slloven me përvojë, Edis Sejdinovic.
Trajneri Shefki Bogujevci ishte i kënaqur me paraqitjen e boksierëve tanë dhe u shpreh se ky turne ishte i mirëseardhur për boksierët juniorë që të kanë meçe cilësore para Kampionatit Botëror për juniorë që mbahet prej 10-25 prill në Sofje të Bullgarisë.
/fotoilustrim/
