/2L ONLINE/ – Miradi Maloku nga lagjja “Maloku” e fshatit Selishtë të Karadakut të Gjilanit, ka udhëtuar më shumë se 30 minuta për të dalë në rrugën kryesore. Kjo për shkakun se rruga ka qenë e degraduar skajshmërisht. Por, gjendja tash ka ndyshuar shumë, pasi Komuna e Gjilanit e ka zgjeruar këtë rrugë duke shtruar me zhavor.
Tash, Miradi Maloku thotë se kjo rrugë përshkohet për pesë minuta dhe shpreh falënderim për kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, që ua ka kthyer shpresat për jetë banorëve të asaj ane.
“Jemi kanë n’gjendje shumë të randë. Këtu s’kanë mujt me kalu as veturat. E kur ka ra shi, s’ke mujt me kalu prej lloçit. Problemi më i madh u kanë për fmijët tanë me udhëtu në këtë rrugë për në shkollë. Tash u ba shumë mirë dhe falëmnerit shumë prej kryetarit që na e rregulloi rrugën që për pesë minuta po dalim në asfalt”, thotë Maloku.
Pos kësaj, Komuna i ka shtruar me zhavor dhe i ka zgjerurar të gjitha rrugët e fshtarave të Grykës së Karadakut, ku përfshihen të gjitha lagjet e fshatrave: Shurdhan, Çelik, Pidiq, Stanqiq e Goden.
Drejtori për Shërbime Publike, Naser Korça me bashkëpunëtorë, është ndarë shumë i kënqur me finalizimin e këtyre projekteve, ku janë ndërtuar 42 kilometra rrugë të rendit të tretë.
“Sot vizituam këto rrugë të fshatrave të Karadakut dhe me investimet këtu u kemi krijuar mundësi më të mira për jetesë qytetarëve. Rregullimi i këtyre rrugëve ka qenë premtim i kryetarit dhe tash e bëmë realitet. Do të vazhdojmë të investojmë gjithandej territorit të komunës së Gjilanit për ta realizuar katërshen infrastrukturore”, ka thënë drejtori Korça.
Pas këtyre investimeve të Komunës në Selishë dhe në fshatrat tjera, Miradi Maloku tha se banorëve të asaj ane i është kthyer shpresa për jetë dhe pritet që të kthehen edhe ata që janë shpërngulur si pasojë e kushteve të rënda. /2L ONLINE/