Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Naser Korça, ka thënë se në Komunën e Gjilanit janë duke u kryer punë dhe se drejtoria që e drejton ai, është një dikaster dinamik i investimeve.
Sipas tij, vlugu i punëve është rritur, janë duke u realizuar projekte dhe punë të ndryshme në terren, që nga asfaltimet, urat, trotuaret, rrugë të standardeve të larta, projekti i vëzhgimit me kamera, e deri te ndriçimi publik, ujësjellësi dhe rrjeti i ujërave të zeza.
“Në bazë të kompetencave që kemi dhe falë përcaktimit dhe mbështetjes së kryetarit Lutfi Haziri që të kryhen shumë punë në shërbim të qytetarëve, ne aktualisht kemi kryer një numër të madh të projekteve dhe po punojmë në shumë pjesë të ndryshme të qytetit dhe fshatrave pa dallim. Infrastruktura publike konkretisht projektet e asfaltimit të rrugëve, përpos disa që tashmë janë kryer, një pjesë janë në fazën e përgatitjeve për asfaltim. Rruga me katër korsi Gjilan-Ferizaj, është në fazën e punimeve dhe gjatë këtij muaji planifikohet që një pjesë të jetë e shfrytëzueshme nga qytetarët. Njëkohësisht njoftojmë se pasi të hapet një pjesë e rrugës për qarkullim, punimet do të ndërprehen përkohësisht për shkak që do të kemi mërgatën për pushime dhe nga 1 korriku do të vazhdohet me dinamikë të fuqishme të punëve”, ka thënë Korça.
“Asfaltimi i rrugëve në fshatin Bresalc është përfunduar me përjashtim të dy rrugicave ku do të punohet në funksion të rregullimit të gjendjes atje. Gjithashtu edhe në Zhegër po punojmë në disa lagje e fshatra të asaj pjese. Në Pidiq dhe Çelik, tashmë asfaltimi është përfunduar, në këtë zonë janë në këtë projekt, 13 rrugë që do të përfundohen shumë shpejtë”.
“të projektuara për investim janë edhe rrugët në fshatin Llashticë dhe në Velekincë, pastaj rrugën “Fehmi Agani”, zgjerimin e rrugës së Përlepnicës, rrugët lidhëse në rrugën “Pajazit Ahmeti”, pastaj ato në rrugën e Prishtinës, rrugët në Cërrrnicës, rrugën e Kumanovës, disa rrugë në lagjen Arbëria, rrugë në fshatin Bresalc dhe krahët e rrugëve “Mulla Idrizi”, që të gjitha këto janë në proces të përgatitjes dhe pritet përfundimi i procedurave të prokurimit për implementimin e tyre”, ka njoftuar ai.
Korça gjithashtu ka sjellur njoftimin tjetër për publikun duke potencuar edhe rrugët që këtë vit janë të planifikuara për realizim me financim të ministrisë së Infrastrukturës, siç është rruga “Enver Miftari” (e cila kalon kah ish OSCE), rruga nga Livoçi i Poshtë deri në Cërnicë, e cila kalon pranë fabrikës “Konsoni” e “Ask Food”, rruga “Adem Jashari” deri te rruga “Zija Shemsiu”, rrugët në lagjen Porodin, në këtë lagje do të trajtohen pothuajse të gjitha rrugët.
Drejtori Korça ka bërë të ditur se janë duke punuar edhe në sektorët e tjerë me dinamikë të fuqishme, duke mos e dalluar asnjëherë qytetin nga fshatrat sa i përket investimeve.
“Jemi duke pritur nënshkrimin e kontratës për fillimin e mirëmbajtjes verore të rrugëve, ndriçimin publik dhe investimin në rrjetin e ujësjellësit që tashmë ka filluar projekti për lagjen Porodin, fshatrat Vërbicë e Kmetocit, Bilinicë, Vrapçiq, dhe rrugën qarkore e atë të hyrjes nga Prishtina”, ka potencuar Korça.
Sa i përket vendosjes së kamerave të financuar nga qeveria amerikane, Korça tha se një pjesë tashmë është vendosur, po punohet që të vendosen të gjitha. Deri më tani sipas tij për 20 kamera kanë sinjalin dhe monitorimi i tyre do të bëhet nga dhoma e posaçme në stacionin policor të Kosovës këtu në Gjilan pas përfundimit të vendosjes së kamerave dhe shenjave që është nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë.
Drejtori në këtë konferencë për media ka thënë se Komuna e Gjilanit ka problem me Kompaninë “Eco-Higjiena”, e cila sipas tij nuk e ka përmbushur asnjëherë as për së afërmi marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat për investimet në Kompani.
“Mungesa zbatimit të marrëveshjes së PPP-së për investime në Kompani ka paraqitur problem të shumta në shumë fusha që nga pastërtia në qytet e deri te mungesa e furnizimit me kontejner të amvisërive, bizneseve dhe ndërtesave të banimit kolegtiv që janë ndërtuar në Komunën e Gjilanit”, ka thënë ai.
Gjithashtu është bërë e ditur se krahas këtyre punëve është vazhduar edhe me angazhimin në sektor të ndryshëm që nga lëshimin e lejeve të ndryshme për shfrytëzim të hapësirës publike, trajtim të lëndëve të ndryshme por edhe punë të ndryshme me drejtorit e tjera të Komunës së Gjilanit.