(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka qenë nikoqir i takimit të kryetarëve të 11 komunave të regjionit lindje, për koordinimin e projekteve të përbashkëta.
Në takimin e përbashkët, të cilin e ka organizuar Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Agjencionin Zhvillimor Rajonal –Lindje, kanë marrë pjesë, pos Gjilanit, edhe Kamenica, Vitia, Ferizaj, Kaqaniku, Novobërda, Hani Elezit, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu e Shtërpca si dhe komandanti i KFOR-it që mbulon sektorin e juglindjes Zorlu Topaloglu dhe drejtori i zyrës rajonale të OSBE-së, Ulrich Biffar.
Kryetari Haziri, në konferencën për media, ka falënderuar kryetarët e komunave të sipërpërmendura për prezencën, duke thënë se ky është një hap i mirë për koordinim sa më të mirë ndër komunal dhe ndër regjional.
“Ne jemi angazhuar sot për programet e përbashkëta ndër komunale dhe ndër regjionale. Aktiviteti ynë ka të bëjë me koordinim sa më të mirë ndër komunal në mënyrë që konferenca e donatorëve dhe programet tona të mbështeten nga donatorët dhe të përfitojnë qytetarët e tanë”, ka thënë Haziri, njofton Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.
Ndërsa, kryetari i Kamenicës, njëherësh kryesues i Bordit të Partnerëve të Agjencionit Zhvillimor Rajonal – Lindje, Begzad Sinani, tha gjatë takimit janë ngritur disa shqetësime nga të pranishmit, bie fjala për lënien anash të rajonit të anamoravës nga investimet qeveritare.
“Ne paraqitëm disa aspekte tona, jo vetëm si kryetar të komunave, por edhe si rajon, pasi që është nxjerrë një konkluzion që është debatuar mjaft në kohën e fundit, ku kanë paraqitur shqetësime të ndryshme jo vetëm të qytetarëve, por edhe të strukturave të ndryshme, pasi që rajoni i anamoravës thuhet se ka mbetur anash. Është një përkushtim i yni që si përfaqësues të qytetarëve, të ndajmë shqetësimet tona, që në të ardhmen të jemi të koordinuar jo vetëm me këtë format, por edhe me delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që të kenë një përkushtim duke arritur standardet, në realizimin e projektet tona të kërkuara, jo nga kryetarët e komunave, por nga qytetarët e këtioj rajoni”, ka thënë Sinani. /2lonline/