Koordinohen në rast të ndonjë fluksi të mundshëm refugjatësh
/2L ONLINE/ – Me qëllim që komuna e Vitisë të jetë e përgatitur për të pritur ndonjë fluks të mundshëm të refugjatëve dhe me qëllim që kjo komunë të koordinoj punën me nivelin qendror, në lidhje me këtë çështje sot u mbajt një takim i përbashkët i përfaqësuesve të institucioneve komunale, departamentit të gatishmërisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, policisë së Kosovës në Viti, KFOR-it amerikan, shoqatave humanitare etj.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij takimi tha se komuna e Vitisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të pritur në mënyrë të mirëfilltë një fluks të mundshëm të refugjatëve, por u shpreh se Kosova por edhe vetë komuna e Vitisë ka obligime ndaj miqve ndërkombëtar, duke nënvizuar se kjo komunë në bashkëpunim me të gjitha mekanizmat e tjerë do të bashkëpunoj që të menaxhoi situatën në rast se do të këtë një fluks të refugjatëve.
Ndërkaq në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Departamenti i Gatishmërisë me atë të Departamentit të Operativës të cilët kanë folur rreth vlerësimit të gjendjes së gatishmërisë në rast të ndonjë fluksi të refugjatëve, për të mbështetur nivelin lokal në ngritjen e gatishmërisë dhe planifikimit kontingjent. Gjatë këtij takimi kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, KFOR-it Amerikan, Shoqatave Bamirëse etj./2L ONLINE/
