/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje, Nisma për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të shtunën në Gjilan janë takuar dhe kanë biseduar për koordinimin e veprimeve të mëtejme për të kundërshtuar marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ata kanë biseduar edhe për organizimin e protestës opozitare që pritet të ndodhe më 28 nëntor në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve. Në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë edhe deputet të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, ata kanë thënë se nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore dhe nuk t’i ndalin veprimet e tyre deri sa qeveria të detyrohet të heq nënshkrimin nga këto marrëveshje.
Degët e këtyre partive në Gjilan i kanë dhënë mbështetje veprimeve të deputetëve opozitarë në Kuvend për parandalimin e këtyre marrëveshjeve. Për të koordinuar më mirë veprimet e tyre ata në këtë mbledhje kanë themeluar një trupë të përbashkët për koordinim të veprimeve, trupë që do të përbëhet nga kryetarët e këtyre degëve dhe nga një anëtarë i secilës parti. /2L ONLINE/