Nga: Fehmi Rexhepi, Prishtinë
/Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të monografisë së Mr. Enver Sadikut “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave ballkanike 1912-1913” botim i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”,Gjilan ,2015 f.203/
Kontribut për ndriçimin e historisë së Gjilanit dhe rrethinës gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913
Lidhja e historianëve të Kosovës përpos veprimtarisë profesionale në kuadër të angazhimeve për realizimin e projekteve të veta zhvillon edhe veprimtarinë botuese. Në mesin e veprave të botuara vitin që e lamë pas është edhe monografia e Mr. Enver Sadikut “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave ballkanike 1912-1913”, që po e promovojmë sot në kuadër të manifestimit Flaka e Janarit 2016.
Zonja e zotërinj, të nderuar pjesëmarrës,kam nderin që në cilësinë e redaktorit të botimit ti them disa fjalë vlerësuese në vija të trasha për këtë vepër.
Në historiografinë tonë më të re e sidomos në historinë e Gjilanit e të rrethinës ,çështjes së Luftërave Ballkanike dhe qëndresës së popullit tonë në këto vite të stuhishme nuk i është kushtuar kujdes i duhur institucional. Por, nga ana tjetër falë angazhimeve individuale të studiuesve të rinj entuziastë sukseset nuk po mungojnë. Në mesin e këtyre studiuesve entuziastë padyshim i pa tejkalueshëm është edhe Mr. Enver Sadiku me veprën “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913“.Ky studim monografik padyshim është studim i parë serioz dhe kontribut për ndriçimin e një periudhe shumë të rëndësishme të historisë sonë të fillim shekullit të kaluar, kur shqiptarët u ngritën në luftën çlirimtare kundër sundimit osman, shpallën pavarësinë ,por Fuqitë e Mëdha vendosen për fatin e popullit tonë duke e lënë gjysmën e tij nën sundimin e shteteve fqinje.
Librit i prinë dedikimi i autorit që i përkushtohet të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Studimi ka gjithsej 203 faqe tekst të sistemuara në: parathënie, hyrje, kapituj, përfundimi, treguesi i emrave dhe burimet e literatura e shfrytëzuar.
Në parathënie autori shpjegon idenë dhe motivin që e ka shtyrë të merret me këtë temë sa të rëndësishme e me peshë aq edhe të komplikuar për tu trajtuar. Gjithashtu jep një përshkrim të pozitës gjeostrategjike të qytetit duke vu në spikamë të dhëna dokumentare në të cilat përmendet Gjilani si vendbanim dhe si regjion ,si dhe cek autorët që janë marr me Gjilanin në këtë periudhë.
Hyrja (f.19-47) titullohet:Rezistenca në Gjilan e rrethinë ndaj Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX . Në fillim bënë fjalë për kazanë e Gjilanit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX,ku theks të vaçant i kushton popullsisë,infrastrukturës,tregtisë,zejtarisë dhe bujqësisë e blegtorisë, për të vazhduar me të dhëna për kontributin e gjilanasve në Kryengritjen e Kosovës të vitit 1910, duke spikatë posaçërisht kontributin e Idriz Seferit dhe bashkëluftëtarëve të tij si; Mustafë Kabashi, Ramë Avdyli, Zeqë e Islam Pira, Shabi Kajolli, Murat Bilalli etj.
Në kapitullin e parë (F.49-65),autori flet për Gjilanin me rrethinë në Kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912,duke u ndalë në përgatitjet për fillimin e kryengritjes e posaçërisht në zhvillimin e betejave dhe çlirimin e qytetit nga pushtuesit osman më 26 korrik si dhe çlirimin e Bujanocit një ditë më pas,zëvendësimin e përgjegjësve dhe funksionarëve osman me përfaqësues vendas akterë të rezistencës kundër osmane.
Kapitulli i dytë titullohet : Marrëdhëniet ndërkombëtare para Luftës së Parë Ballkanike (f.67-89),ku autori trajton gjendjen e Perandorisë Osmane në prag të luftërave ballkanike duke e ndërlidhur me qëndrimin e Fuqive të Mëdha ndaj krizës ballkanike si dhe raportet e tyre me Perandorinë Osmane. Në vazhdim të këtij kapitulli gjejmë të dhëna me interes rreth angazhimit të vendeve ballkanike për krijimin e aleancave ushtarake të cilat synonin copëtimin e trojeve shqiptare ,në kohën kur në horizont po shihej shpërbërja e Perandorisë Osmane. Kapitulli përmbyllet me të dhënat për Marrëveshjen serbo-bullgare të vjeshtës së vitit 1912 e harmonizuar nën mbikqyrjen e vëllaut të madh-Rusisë, që parashihte në detaje përfitimet territorial të palëve nënshkruese që do të realizoheshin në kurriz të trojeve shqiptare.
Gjilani me rrethinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike (f.91-114),është kapitulli vijues, që pasohet me sythin i cili bënë fjalë për synimet serbe për përfitimin e krerëve dhe popullit të Gjilanit për interest e tyre me mjete nga më të ndryshmet. Jepen të dhëna për veprimtarinë terroriste të grupeve dhe organizatave të fshehta siç ishin ”Narodna Odbrana” (Mbrojtja popullore) dhe “Ujedinjenje ili smrt“ (Bashkim ose vdekje) apo që njihej edhe si “Dora e zezë”. Pason me përgatitjet e popullsisë së Gjilanit për luftë mbrojtëse duke cekë tubimet dhe organizimet për mbrojtjen e kufirit nga sulmet serbe njëherit duke spikatë angazhimin e krerëve të Gjilanit e sidomos të kryetrimit të kësaj ane dhe të Kosovës Idriz Seferit. Në vazhdim trajtohet procesi i mobilizimit të ushtrisë serbe në një anë dhe qëndresa e shqiptarëve në anën tjetër ,për ta përfunduar me sythin kontributi i shqiptarëve të Gjilanit në formacionet vullnetare apo në ato të ushtrisë osmane në luftimet e zhvilluara për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e armatave serbe. Autori një për një përmend vendluftimet e shumta që u zhvilluan në territorin e Gallapit dhe Karadakut,duke mos e lënë pa e përmend edhe faktin se derisa armata serbe ishte e pajisur me topa më modern të kohës , ndërsa në anën tjetër shqiptarëve iu mungonte edhe municioni më elementar.
Kapitulli IV (f.115-152) i kushtohet Pushtimit të Gjilanit me rrethinë nga ushtria serbe. Në këtë pjesë autori sjell të dhëna për hyrjen e forcave serbe në Gjilan me tërë arsenalin luftarak nga drejtimi i Prishtinës dhe arritjen e Shtabit të Armatës së Tretë Serbe në krye me Komandantin famëkeq Bozhidar Jankoviq si dhe vendosjen e administratës pushtuese. Në vazhdim ai sjell të dhëna për qëndresën e shqiptarëve të rrethit të Gjilanit në betejën e Kumanovës, dhe thyerjen e forcave osmane më 24 tetor 1912, njëherit duke potencuar edhe heroizmin e pa parë të vullnetarëve shqiptarë dhe batalionit të Gjilanit i cili ra pothuaj i tëri heroikisht në fushën e betejës. Dhuna e terrori serb ndaj popullsisë civile trajtohet me kujdes duke u mbështetur në argument e dokumente të kohës dhe në autorë të cilët i kanë gjykuar këto krime gjenocidale siç ishin: Edit Durham, Leo Frendlih, Lazër Mjeda, Dimitrije Tucoviq etj., duke mos i lënë anash as autorët shqiptarë. Në fund ky kapitull plotësohet me të dhëna për vendosjen e administrimit ushtarak dhe angazhimet e këtij pushteti për burgosjen dhe arrestimin e krerëve shqiptarë të kësaj ane e sidomos të Idriz Seferit.
Kapitulli V ( f. 153 – 167)dhe i fundit i kushtohet rrethanave politiko-shoqërore në Gjilan e rrethinë gjatë Luftës së Dytë Ballkanike dhe pasojave të saj. Në kushtet e pushtetit ushtarak Serbia filloi mobilizimin e shqiptarëve për ti përdorë si mish për top në luftë kundër ushtrisë bullgare. Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Ballkanike, pushteti serb vazhdoi me veprime antishqiptare tashmë të njohura siç ishte: likuidimi fizik, çarmatimi, burgosja, plaçkitja e pasurisë, shpërngulja me dhunë,ndërrimi i fesë e forma tjera të shtypjes e represionit,akte këto të cilat i detyruan shqiptarët edhe pse të lodhur që ta kundërshtojnë këtë pushtet me të gjitha mjetet e mundshme.
Një syth i veçantë në fund të këtij kapitulli i kushtohet shpërnguljes së shqiptarëve dhe kolonizimit të kësaj treve me serbë,që pasohet me përfundimin në gjuhën shqipe dhe angleze.Studimit ia shtojnë vlerën edhe shumë fotografi të personaliteteve dhe të ngjarjeve si dhe harta,ilustrime, faksimile dokumentesh e materialesh për përmbajtjet që trajtohen, disa prej të cilave për herë të parë e shohin dritën.
Dhe krejt në fund në bazë të kësaj që u tha mund të konstatojmë se studimi i Mr. Enver Sadikut , “ Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave ballkanike 1912-1913 ”, është kontribut për historiografinë tonë të re në përgjithësi e sidomos për historiografinë e Anamoravës në veçanti,sikurse që botimi i kësaj vepre është një eveniment me rëndësi jo vetëm për studiuesit e historisë por edhe për një shtresë më të gjerë lexuesish të të gjitha shtresave dhe moshave,aq më parë kur kihet parasysh edhe fakti se publikime të tilla na mungojnë.
Ju faleminderit