Çdo qelizë dhe organ në trupin e njeriut varet nga uji. Uji ka rol shumë të rëndësishme, ai rregullon temperaturën e trupit, ndihmon që të mbajë balancimin e lëngjeve trupore, ndihmon lëkurën tënde të duket e bukur dhe e re, ndihmon trupin t’i largojë produktet e panevojshme dhe toksinat etj.
Pa ujë, trupi juaj do të pushonte së funksionuari. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta mbani trupin tuaj të hidruar, e për ta bërë këtë, ju duhet të pini sasi të mjaftueshme të ujit, rreth dy apo tri litra në ditë.
Ndonjëherë, trupi juaj mund të humbë ujë më shumë se zakonisht, gjë që ndodh kur keni aktivitet të shtuar fizik, diabet, urinim të shpeshtë etj. Dhe kësisoj shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm kur trupi i tyre ka nevojë për ujë. Sidoqoftë, Telegrafi sjell për ju disa nga shenjat kryesore që tregojnë se trupi juaj ka mbetur pa ujë.
1. Keni dhimbje koke
Kjo është ndër shenjat kryesore që trupi juaj ka mungesë uji dhe kjo ndodh pasi në mungesë të ujit, fluidet që e rrethojnë trurin tuaj dhe e mbrojnë atë nga përplasjet dhe lëvizjet, pësojnë rënie në nivelet e tyre.
2. Era e keqe e gojës dhe goja e tharë
Për shkak të mungesës së ujit, trupi juaj prodhon më pak pështymë, gjë që përmban veti antibakteriale. Kjo shpie në rritjen e baktereve në gojën tënde dhe shkakton erën e keqe.
3. Urinimi më i rrallë dhe ndryshimi i ngjyrës së urinës
Besojeni apo jo, nëse ju nuk jeni duke e përdorur tualetin çdo pak orë, trupi juaj me siguri që ka mungesë uji. Konsumimi i sasisë së rekomanduar të ujit bën që të urinoni rregullisht, diku rreth katër deri shtatë herë në ditë. Gjithashtu, ngjyra më e pastër e urinës do të thotë se trupi juaj ka mjaftueshëm ujë, përderisa ngjyra e verdhë do të thotë se është koha të konsumoni ujë.
4. Dhimbje në muskuj dhe nyje
Uji është komponent vital i nyejve të shëndetshme. Në fakt, nyjat e trupit përmbajnë rreth 80 për qind ujë, prandaj është e domosdoshme të konsumoni mjaftueshëm ujë që të mos ndjeni dhimbje në nyjet dhe muskujt tuaj.
5. Ndjeheni të lodhur dhe të përgjumur
Nëse ndjeheni të lodhur dhe të përgjumur, kjo mund të jetë pasi që trupi juaj ka mungesë të madhe uji. Mungesa e ujit shkakton që shtypja juaj e gjakut të zvogëlohet dhe trupi juaj nuk furnizohet me oksigjen adekuat gjatë ditës, përfshirë trurin. Mungesa e oksigjenit bën që të ndjeheni të përgjumur, të lodhur etj.
6. Rrahje të përshpejtuara të zemrës
Mungesa e ujit shkakton një zvogëlim në volumin e plazmës, duke e bërë gjakun më të trashë. Kjo ndikon në qarkullimin tuaj të gjakut dhe i përshpejton të rrahurat e zemrës.