Konstituohet KKSB në Gjilan, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile

Konstituohet KKSB në Gjilan, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile

Është mbajtur sot mbledhja konstituive e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Gjilan, i cili është themeluar me vendim të Kuvendit Komunal dhe është udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri.

Në këtë këshill, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të intitucioneve, komuniteteve etnike dhe fetare, gjendja e sigurisë në Gjilan është vlerësuaqr e qetë dhe stabile.

“Tashmë jeni përfaqësues të zgjedhur nga Kuvendi Komunal që në këtë mandat katër vjeçar ta ushtojmë këtë detyrë bashkarisht në realizimin e objektivave tona në mënyrë që siguria në komunën tonë të vazhdojë të jetë e mirë dhe vazhdon të detyrojë paqe për të gjitha komunitetet etnike e fetare, duke afirmuar dialogun dhe bashkëpunimin”, ka thënë në hapjen e mbledhjes kryetari Lutfi Haziri.

Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, major Alban Ramushi, ka ritheksuar se gjendja e sigurisë është e qetë dhe stabile falë vetëdijësimit të qytetarëve dhe punës së mirë të policisë.

Ai tha se në pjesën e parë të vitit 2018 nuk ka pasur asnjë konflikt me motive etnike, duke pohuar se bashkëpunimi ndëretik është në nivel të mirë.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, tha se ka për objektivë përmirësimin e sigurisë së objekteve të banimit dhe shkollave, zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë tjera, sikurse edhe parandalimin e dhunës në shoqëri përmes aktiviteteve vetëdijësuese.

Ndërkaq, sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Agim Hyseni, ka kërkuar që në kuadër të agjendës së diskutimeve në mbledhjen e radhës, të diskutohet për fenomenin e vetëvrasjeve, pasi Gjilani brenda pak ditësh është tronditur nga tre raste të tilla.

Kreu i Gjilanit ka pohuar në fund se takimi i ardhshëm i KKSB do të mbahet pas dy jave, për ta paraqitur rendin e punës dhe temave që do të diskutohen në të ardhmen.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka në përbërje 24 anëtarë, ku përfshihen ata të Komunës së Gjilanit, Stacionit Policor, Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse, Kishës Protestante, përfaqësues të komunitetit serb, turk e rom, OJQ’ve e mediave dhe ka mandat katër vjeçar.

KOMENTE