DYLON

Konjufca: Transparenca dhe llogaridhënia parakushte për funksionimin e demokracisë

Konjufca: Transparenca dhe llogaridhënia parakushte për funksionimin e demokracisë
Avatar photo Redaksia

Nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe përkujdesjen e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me një varg aktivitetesh shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Në ceremoninë e hapjes, mori pjesë Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, drejtorja e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg dhe koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, përfaqësues të organizatave të tjera partnere, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë të aktiviteteve të parapara.

EkoHigjiena

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e tij të rastit theksoi se me anë të shënimit të kësaj dite synohet të vihen në pah arritjet shoqërore dhe vlerat e demokracisë në sistemet e qeverisjes demokratike, dhe se, siç tha ai, Kuvendi si institucion ka dëshmuar përkushtimin e vet për gjithëpërfshirje, zgjerim të hapësirës dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët.

“Kuvendi i Kosovës, ngjashëm sikurse viteve të tjera, në këtë ditë organizon aktivitete që kanë për qëllim hapjen e Kuvendit për të gjithë qytetarët, ata të cilët e bëjnë të mundur jetësimin e zgjedhjeve dhe qeverisjen demokratike”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit tha se nëpërmjet këtij aktiviteti Kuvendi synon ta rris transparencën dhe ta fuqizojë llogaridhënien në shërbim të qytetarëve.

“Kuvendi synon që ta bëjë promovimin e demokracisë, ta hap dhe ta bëjë sa më transparent këtë institucion. Transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë. Po ashtu, synojmë që t’i bëjmë sa më llogaridhënëse institucionet publike”, tha ndër tjera kryetari Konjufca.

Të pranishmëve iu adresua edhe drejtorja e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, e cila duke uruar për Ditën e Demokracisë, tha se ndjehet krenare për punën e përbashkët dhe për arritjet që Kosova ka shënuar ndër vite.

“Jam krenare për punën që SHBA-të kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së Kosovës, si dhe për arritjet që Kosova ka shënuar në ndërtimin e një demokracie sa më të fuqishme përgjatë njëzet viteve”, theksoi Soderberg.

Po ashtu, edhe koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, në fjalën e saj theksoi se Dita e Demokracisë shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën, duke e vënë fokusin e saj te funksionimi i lirë i medias dhe tek objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne duam të theksojmë rëndësinë e një medie të lirë e plurale për të luftuar lajmet e rrejshme dhe gjuhën e urrejtjes. Pastaj, objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm kanë për qëllim të mos e lënë askënd prapa”, theksoi Spence.

Shënimi i Ditës së Demokracisë, vazhdoi me panairin e shoqërisë civile, pastaj me garën e lojës së shahut nga personat e verbër, për t’u përfunduar edhe me aktivitete tjera që afirmojnë demokracinë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.