DYLON

Konjufca takoi presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Konjufca takoi presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta
Avatar photo Kimete Ibrahimi

Në vazhdën e vizitës zyrtare në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. 

Konjufca dhe Meta diskutuan për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë sendërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa u dakorduan që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve. 

EkoHigjiena

Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave ekonomike dhe nevojën imediate të partneritetit strategjik, si dhe për nismat rajonale dhe integrimet euro-atlantike. 

Konjufca ritheksoi qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.

Ai po ashtu falënderoi presidentin Meta për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë e vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca. 

Presidenti Meta, nga ana e tij, tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.
Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat aktuale dhe ato që i presin në të ardhmen të dyja vendet, shtrojnë nevojën e bashkërendimit dhe konsolidimit më të madh të politikave zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës. /2LONLINE.com/
 

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.