DYLON

Konjufca: Pakënaqësia e qytetarëve nuk mund të heshtet përmes arrestimeve

Avatar photo Redaksia

Glauk Konjufca

Javëve të fundit, pushteti LDK-PDK është marrë ekskluzivisht me Lëvizjen Vetëvendosje, përmes policisë. Më 1 maj, Sekretari i Lëvizjes, Dardan Molliqaj u arrestua nga policia në Aeroportin e Prishtinës. Ai u mbajt me orë të tëra aty i ngujuar në aeroport dhe pa asnjë shpjegim pse ishte arrestuar. Kur e sollën në Prishtinë, prokurori e liroi, kurse policia nuk e zbatoi urdhrin e prokurorit. Kjo është edhe më shqetësuese sesa thjesht fakti që i arrestuari ishte Dardani. Çfarë sistemi shtetëror është ky në Kosovë – policia e ka agjendën e vet të pavarur nga prokuroria. Drejtësia vendos, por një vendimmarrje ende më e lartë se drejtësia, që është pushteti qeveritar, e urdhëron policinë ndryshe. Dhe policia vepron sipas skenarit të drejtpërdrejtë të dikujt në Qeveri që me Lëvizjen Vetëvendosje dëshiron të merret përmes instrumenteve të represionit. Dardanin policia e dërgoi në Deçan. Dhe e tërë çështja përfundoi në mënyrë vërtet banale: i thanë se e kanë sjellë për ta paguar një gjobë 25 euro në komunikacion!

EkoHigjiena

Shiheni se çfarë sistemi ka ndërtuar këta monopolizuesit e shtetit: nëse je në Vetëvendosje, je duke shkuar për një tubim me bashkatdhetarë, arrestohesh nga policia e pushtetit pse ke protestuar në prill të vitit 2013 kundër marrëveshjes me Serbinë, dhe përfundon në Deçan për ta paguar gjobën e komunikacionit. Kurse, nëse je në PDK, ke zhvatur tenderë, ke marrë reket, ke kërcënuar e ke rrahur njerëz, të hapen edhe portat edhe aeroportat, policia nuk të sheh, bëhesh i padukshëm, i kapërcen të gjitha shtetet e BE-së dhe përfundon në Suedi si Xhabir Zharku.

Zonja dhe zotërinj, ky është modeli i shtetit të qeverisë së kaluar, të cilin me shumë zell po e vazhdon qeveria aktuale.

Dy ditë pas arrestimit të Dardanit, më 3 maj, u arrestua në kufirin Shqipëri-Kosovë, drejtuesi i Sekretariatit për Media në VV, Frashër Krasniqi dhe aktivistja Etleva Malushaj. Nga ora 23 deri në 3 të mëngjesit u mbajtën në kufi pa kurrfarë shpjegimi nga policia për arsyen e arrestimit. Frashëri dhe Etleva dëshmojnë se e kanë dëgjuar rreshteren e policisë në Vermicë, të ketë bërtitur në korridor duke thënë: “unë i mbaj këta sa të dua vet, dhe bile i vras krejt. Nga ora 3 deri në orën 8 të mëngjesit u mbajtën njëri në stacionin policor në Kodër të Trimave e tjetri në Qendër. Në fund atyre iu tha se arsyeja e arrestimit është protesta e vitit 2013 kundër marrëveshjes me Serbinë. Në ndërkohë shumë aktivistëve gjatë këtyre ditëve iu kanë ardhur thirrjet për t’u paraqitur në polici e nëpër gjykata.

Qeveria Mustafa e ka humbur arsyen. Modeli i shtetit që po e ndërton kjo qeveri mund të kualifikohet si shtet policor. Prej ardhjes në pushtet kjo qeveri u mor me qytetarët kryesisht përmes polici. Dhe kjo është simptomë se preokupimi i vërtetë i Qeverisë nuk janë problemet e qytetarëve dhe zgjidhja e tyre, por shtypja e pakënaqësisë së tyre. Mënyra ma e keqe për t’u marrë me pakënaqësinë është shtypja e pakënaqësisë. Pakënaqësia qytetare rritet vazhdimisht nëse nuk adresohet dhe nëse nuk i gjendet zgjidhje shkaqeve që e prodhojnë atë. Qeveria e Mustafës nuk po merret me shkaqet, ajo po merret me frikësimin dhe ndëshkimin e të pakënaqurve. Kjo është me të vërtetë zhgënjyese, sepse varfëria, papunësia, mirëqenia e dobët, luftimi i korrupsionit, nuk zgjidhen si probleme duke e arrestuar dhe duke e futur në burg opozitën.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.